E Diel, 1 Nëntor 2026

KE këmbëngul që kreu i ardhshëm i FMN-së të jetë nga BE

Nga Express më 19 maj 2011 në ora 19:50

Komisioni Europian këmbëngul që kreu i ardhshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar duhet të jetë nga njëri prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Një zëdhënëse e komisionit tha sot se FMN-ja ka nevojë për një udhëheqje të fortë. Ajo tha se është e natyrshme që vendet anëtare të Bashkimit Europian, si kontribuesit kryesorë të këtij fondi, të jenë dakord që të kenë një kandidaturë të fortë për të zëvendësuar Dominik Stros Kan, i cili dha mbrëmë dorëheqjen nga posti.

Kancelarja gjermane Angela Merkel po nxit një vendimmarrje të shpejtë për këtë post, i cili tradicionalisht është mbajtur nga një europian.

Ministrja franceze e financave Kristine Legard, e cila përmendet si një pasardhëse e mundshme e Stros Kan-it, thotë se Europa duhet të jetë e bashkuar për kandidaturën.

Vendet me zhvillim të shpejtë ekonomik si Kina, India dhe Brazili sugjerojnë se është koha për ta thyer këtë rregull të Evropës për FMN-në. Ata thonë se të qenit anëtar i Bashkimit Europian nuk duhet të jetë kriteri i vetëm për këtë post.

Tani për tani, deri në zgjedhjen e Drejtorit të ri, kreu i FMN-së do të jetë Menaxheri i Parë Drejtues Xhon Lipski. /voa/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›