Serbët bllokojnë rrugën Mitrovicë-Suhodoll
Rreth 100 serbë në zonën “Tre rrokaqiejt” që ndodhet në veri të Mitrovicës, zhvilluan të enjten një protestë, duke bllokuar kështu rrugën Mitrovicë-Suhodoll, në shenjë revolte për arrestimin e Jevro Panteliq në Zubin Potok, për të cilin ata thanë se është arrestuar, sepse nuk ka paguar tatimin autoriteteve të Kosovës.
Njëri nga pjesëmarrësit e protestës, Millorad Jovanoviq tha se do të vazhdojë bllokada në këtë rrugë për çdo ditë, derisa të mos lirohet Panteliqi.
Ndryshe, Panteliqit dje i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh, dhe sipas EULEX-it ai është arrestuar gjatë një hetimi që ka të bëjë me krimin e organizuar – shpëlarje parash, kontrabandim derivatesh, fshehje tatimi dhe mashtrime për të shmangur pagesën e doganën e akcizave për import. /kosovapress/