Vetëvendosje qet në shitje shtëpinë e Thaçit
Vetëvendosja me këtë, kanë dashur t’ia bëjnë me dije, siç thonë ata, se sikur Qeveria që po i nënvlerëson ndërmarrje publike (NP) të vendit, ashtu ata po e nënvlerësojnë shtëpinë dhe pronën private të kryeministrit Hashim Thaçi.
Me një pankartë “Prona në shtije, çmimi 26 mijë e 300 euro”, Vetëvendosja nuk kanë qëndruar gjatë para shtëpisë së Thaçit, ngase u penguan nga një rojë e këtij objekti, madje ky i fundi sulmoi edhe gazetarët. Përveç që u pengonte gjatë xhirimeve, ai edhe filloi t’i ndiqte edhe me shufra hekuri.
Djaloshi që ishte i ri në moshë, me këmbëngulje mbronte edhe rrugën para derës së kryeministrit, që sipas tij edhe rruga është private, jo vetëm shtëpia.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thënë se nuk duhet shitur prona publike, e aq më shumë të nënvlerësohet.
“Mënyra se kjo qeveri po e bënë privatizimin e NP-ve, duke i shitur ato sa më shpejtë dhe sa më lirë, po na bënë të mendojmë se kjo qeveri i ka disa borxhe që po donë me i shpagu me atë të shitjes së pronës së qytetarëve të Kosovës. Kemi ardhur sot këtu që kryeministri dhe ministrat për mi shly borxhet e tyre le t’i shesin pronën e tyre private, se edhe kështu nuk është aspak e vogël, e jo duke e shitur pronën tonë publike”, ka thënë Etleva Malushaj, aktiviste e VV.
Por vazhdimisht edhe para se të vendosnin pankartën, por edhe derisa po prononcoheshin, roja e këtij objekti, po tentonte t’i ndalonte.
Por Malushaj nuk la pa e shpjeguar përse kjo shtëpi ka çmimin e shitjes kaq të ulët.
“Ja kemi qit çmim e tillë, se vazhdimisht po e shohim se si këta qeveritarë vazhdimisht po e shesin dhe po e nënvlerësojnë pronën e qytetarëve, prandaj edhe ne kemi dashur ta nënvlerësojmë pronën e tyre, duke e shitur me çmim më të ulët, se sigurisht vlera e kësaj shtëpie është shumë më e lartë se ky”, ka thënë ajo.
Vetëvendosja u largua nga aty pas pak çastesh, por roja i shtëpisë nuk e la pa u marr ende me kameramanët e thuajse të gjitha televizioneve. Ai pasi shkatërroi pankartën e vendosur nga Vetëvendosja, me shufra të hekurta të saj filloi t’i largonte nga aty kameramanët.
Dikur erdhi edhe një tjetër person në përkrahje të tij, duke shpjeguar se kemi hyr në pronë private, që sipas tij edhe ajo rrugë i takon banorëve dhe po nuk je banorë nuk mund të hysh në të. Gazetarët u ndaluan edhe nga policia ku morën informata se çfarë ka ndodhur aty./kosovapress/