E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje sërish në protestë, aktivistët nga Tirana bllokohen në kufi

PRISHTINE - Lëvizja Vetëvendosje pritet të zhvillojë sot protestën e dytë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut. Përfaqësues të Vetëvendosje-s e quajtën “antikushtetues dhe të turpshëm” mocionin e së premtes dhe thanë se përmes protestave synojnë mbrojtjen e Republikës dhe prodhimit vendor.
Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke bllokuar të gjitha mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Një masë e tillë reciprociteti qe vendosur nga vetë qeveria në muajin korrik, për t’u hequr në vjeshtë, pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

AKTIVISTËT NGA TIRANA BLLOKOHEN NË KUFI
Ora: 12:50 - Aktivistët shqiptarë që janë drejtuar drejt Kosovës, në mbështetje të protestës së paralajmëruar të lëvizjes Vetëvendosje, janë përballur sërish me probleme në pikën kufitare të Morinës.
Aktivistët pretendojnë se autoritetet kufitare po vonojnë qëllimisht procedurat për të mos lejuar mbërritjen e tyre në kohë në protestën e paralajmëruar.

Sipas tyre, autoritetet kanë nxjerrë pretendimin se shoferi i autobusit nuk ka certifikatë mjekësore, ndësa ky i fundit është pajisur me lejen e drejtimit prej 2 muajsh, dhe domosdoshmërisht e ka bërë kontrollin mjekësor.
Njëri prej organizatorëve, Genti Sala bën të ditur se në kufi ka më tepër policë se në protestën e 14 janarit, ndërkohë që aktivistët janë kthyer sërish në tokën shqiptare.
“Këta e kanë mendjen që Serbinë ta lejojnë dhe Shqipërinë ta ndalojnë”- deklaroi Sala, duke theksuar se mbështetësit e Vetëvendosje-s janë të vendosur të presin.

POLICIA UDHEZON GAZETARET
Ora: 12:40 - Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate- raport informoi të dielën përfaqësuesit e medieve si të sillen dhe si të veprojnë në protestën e sotme të Vetëvndosjes.
Në këtë “raport informues” të policisë thuhet, se “Policia e Kosovës i mundëson opinionit publik që të ketë qasje në informacione dhe të dhëna mbi veprimtarinë e PK-së, dhe të drejtën e mediave për të raportuar në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me opinionin si dhe publikimin e informatave, deri në kufijtë ku nuk cenohet e drejta e individit, nuk pengohet ndjekja dhe hetimi i kryerësit të veprës inkriminuese ose nuk ndërhyn në procesin e zbatimi të ligjit”.
Ky raport synon ti shërbejë sigurisë tuaj, si dhe të shmang incidentet, rastet e mundshme, dhe pengimeve në kryerje të detyrave të ndërsjella, citon raporti.

VETEVENDOSJE 10 PYETJE PER THACIN
Sipas liderit të Vetëvendosje-s Albin Kurti, me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërsa me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.
Kurti ka folur edhe për dy takime të fshehta që sipas tij kryeministri Thaçi ka pasur me presidentin serb, Boris Tadiç, për të cilin ka parashtruar dhjetë pyetje, transmeton Radio Europa e Lire.
1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiçin?
2. Ku dhe kur saktësisht është takuar me kryetarin e Serbisë, Tadiç?
3. Kush tjetër ka marrë pjesë në këto takime, për çfarë kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiçit dhe çfarë Tadiçi Thaçit?
4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej këtyre dy takimeve?
5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?
6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?
7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?
8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe nëse po, kush e ka?
9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?
10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime?

POLICIA- PROTESTUESVE: MOS BLLOKONI RRUGËT
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, zbuloi planin operativ për 22 janarin, në të cilin u bëhet thirrje protestuesve që të mos bllokojnë rrugët dhe qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan. Policia e Kosovës bëri të ditur se do “të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që ”t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve”.

JAHJAGA PËRPJEKJE PËR TË PARANDALUAR PROTESTAT
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga zhvilloi takime me krerët e partive politike parlamentare, nga të cilët ka kërkuar që të gjejnë zgjidhje brenda institucioneve dhe përmes dialogut. Një ditë më parë ajo u takua me kryeministrin Hashim Thaçi, që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.

Më pas Jahjaga ka zhvilluar takime me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, dhe atë të Aleancës Kosova e re, Behxhet Pacollin.
Në takime të veçanta, sipas njoftimit për media, presidentja Jahjaga ka bashkëbiseduar me subjektet politike për çështjet në interes të vendit, me theks të posaçëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
Presidentja Jahjaga citohet të ketë thënë se “debati dhe procesi i vendimmarrjes duhet të zhvillohet në institucione të Kosovës dhe aty të kontribuohet në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave”.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera PROTESTA E 14 JANARIT

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›