E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje uron 100 vjetorin

“Të synojmë drejtësinë, bashkimin, zhvillimin”, me këtë fjali Lëvizja vetëvendosje u ka uruar qytetarëve 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Më poshtë po u sjellim të plotë urimin e Lëvizjes Vetëvendosje

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron me zemër të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit, dhe 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.

Kjo ditë është paraprirë nga festime e nga aktivitete të shumta, ndërkohë që trevat ku historikisht banojnë shqiptarët, janë dekoruar me flamuj kombëtarë, gjë që tregon edhe një herë dëshirën që kanë shqiptarët për të qenë bashkë, si një popull i barabartë me popujt e tjerë.

Njëqind vjetori i pavarësisë po prezantohet vetëm në njërin dimension të tij, atë të festës. Por të gjithë e dimë se pavarësia, të qenit i pavarur, të ecurit me këmbët e tua, ndërkohë që është diçka e bukur dhe e gëzueshme, kërkon sforcim, e sakrificë.

Në këtë njëqind vjetor ne nuk na del dot koha të përkujtojmë mijëra shqiptarët që ia përkushtuan jetën dhe veprën e tyre atdheut, para dhe pas aktit sublim të Ismail Qemalit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Me armët e tyre, me gjakun që derdhën, po mbi të gjitha me veprat që lanë të shkruara e me fjalët e urta që na lanë trashëgim, ata treguan se e ndjejnë vetën e një publiku, e një populli, e popullit shqiptar.

Ndër shekuj shqiptarëve iu janë ofruar identitete të reja, simbole të reja, gjuhë të reja, me kusht që të harronin identitetin e tyre, simbolet e tyre, gjuhën e tyre. Por nuk u bënë turq, as serbë, as grekë, as italianë e as gjermanë. Dhe as sot nuk do të lejojmë që të na bëjnë diçka tjetër.

Jemi të ndërgjegjshëm që në këtë 100 vjetor nuk duhet të kishte vetëm festime, por zotime të forta e të qarta, paraqitje projektesh konkrete e energjike për të përmirësuar situatën tonë, që është shumë problematike krahasuar me vendet perëndimore, si të cilat duam të jemi, apo krahasuar dhe me fqinjët tanë.

Problemet me të cilat ballafaqohemi në këtë 28 Nëntor, janë të dy natyrave. Probleme të kombit dhe probleme të shtetit.

Kombi shqiptar u formësua përfundimisht me Rilindjen Kombëtare, në shekullin e 19, ashtu siç janë formuar edhe shumica e kombeve të tjera evropiane, bazuar në kulturën, historinë dhe gjuhën e përbashkët të kësaj etnie që përbën pjesën dërrmuese të popullsisë në trevat ku sot jetojmë. Këtij kombi i janë bërë një sërë padrejtësish gjatë dekadave. Prej tyre nuk mundemi ta identifikojmë se cila është më e madhja. A është fatkeqësia më e madhe që kur i vendosën kufijtë – të tjerët për ne – e lanë dy të tretat e trevave dhe të kombit në shtete të kombësive të tjera, apo është më keq që shqiptarët i kanë spastruar prej krahinave të gjera ku kanë banuar historikisht, si për shembull Çamërinë, Sanxhakun e Nishit e të Novipazarit, fshatra të tërë në Mal të Zi e Maqedoninë e sotme, e të mos harrojmë Mitrovicën, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për vëmendjen tonë. Apo vallë padrejtësia më e madhe ka qenë që për vite me radhë, ajkën e djalërisë së këtij kombi, trimat edhe të urtët, i kanë burgosur e i kanë vrarë, në tentativë të hapur për asimilim, siç ka ndodhur me Kosovën.

Në aspektin kombëtar, ne jemi të detyruar të flasim sot për kërkesën tonë sublime, kërkesën për drejtësi. Drejtësia, si koncept, është i paimagjinueshëm po të mos kesh përjetuar padrejtësinë. Në fakt, drejtësia, për shqiptarët mund të përfytyrohet vetëm si një shpagim i padrejtësisë, si ndreqje e saj.

Sot, në çështjen tonë madhore, atë kombëtare, ne duhet të udhëhiqemi pikërisht nga parimi i drejtësisë. Mbi ne janë ushtruar shumë të padrejta. Sot na thonë t’i harrojmë e të shohim përpara, duke dashur të na zhveshin nga historia. Kjo nënkupton që padrejtësia të mbetet pa shpagim, që padrejtësia të kthehet në sistem, që vuajtjet, varfërinë, mungesat, skamjen dhe poshtërimin ta trashëgojmë brez pas brezi ne, ashtu siç, ata që na shtypën, trashëgojnë pasuritë që kanë vënë me djersën e gjakun tonë, e me shfrytëzimin e tokës dhe krahut të punës në Kosovë.

Por cila është drejtësia që kërkon Lëvizja VETËVENDOSJE! Drejtësia që kërkojmë ne është barazi me popujt e tjerë, është kërkesa që Kosova të trajtohet si shtet sovran, tashmë i njohur prej shteteve perëndimore, pas një lufte të drejtë e me sakrifica të mëdha. Ajo që kërkon Lëvizja VETËVENDOSJE!, është që Kosova të jetë si gjithë vendet e tjera, në aspektin kombëtar. Që do të thotë, të ketë të drejtë të vendosë për veprimet e veta, si dhe të vendosë për kushtet me të cilat lidh veten. Pra të vendosë për kushtetutën e saj, me referendum, si në çdo rast me popujt e qytetëruar. E natyrisht, në këtë kushtetutë duhet të respektohet dëshira e shqiptarëve, që janë 95% i Kosovës, për ta ndarë sovranitetin e tyre me bashkëkombasit e Shqipërisë. Duke i respektuar minoritetet, ama duke mos poshtëruar veten. Krej njësoj siç bënë dy Gjermanitë. Kemi dëgjuar të propozohet modeli i dy Gjermanive për Kosovën e Serbinë, ama ajo analogji nuk qëndron. E vetmja mënyrë në të cilën Kosova i ngjan ndonjërës prej Gjermanive, është sepse ajo po shkon definitivisht drejt bashkimit me Shqipërinë, bashkim që i jep zgjidhje një pjese të konsiderueshme, e ndoshta më të madhes pjesë, të problemeve të natyrës kombëtare që hasim sot, 100 vjet pas Pavarësisë.

Por, në këtë 100 vjetor të shtetit të parë modern shqiptar, nuk duhet të harrojmë problemet e natyrës shtetërore, shtetndërtuese, apo institucionale. Shteti bën kombin, dhe kombi bën shtetin, pandalshmërisht. Asnjë prej shteteve të forta nuk karakterizohen nga dobësi kombëtare, as anasjelltas. E ne, jemi shtet i dobët, se aspektin kombëtar e kemi lënë në dorë të padrejtësisë.

Kështu, shtetet tona sot gjenden të administruara prej oportunistëve e prej interesave të ngushta. Këto shtete duket se nuk kanë për synim zhvillimin apo kryerjen e punës sa më cilësisht, por korrupsionin dhe pasurimin e klikës që mban pushtetin. Këto shtete, edhe pse pretendojnë të quhen “demokraci”, në fakt janë vetëm një klientokraci. Pushtetin e vërtetë këtu e kanë grupe të vogla njerëzish, dhe klientët e tyre. Interesat konfliktuale të këtyre grupeve janë një nga faktorët që po e pengojnë e po e vonojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Brutaliteti i tyre nuk mundet të prodhojë as frymë institucionale, as ente mirëfunksionese. Ata përkthejnë ligje, pa i kuptuar ato, i miratojnë, e pastaj po vetë i shkelin. Sepse ligj për ta nuk është shteti, që do të thotë kombi, por vetja e tyre, individi, që do të thotë xhepi. Në mbrojtje të xhepit të tyre, që ata e quajnë institucion, ata shpesh bëhen brutalë, rrahin e dhunojnë. Por këto janë shenjat tipike të nervozës, të momentit kur ata e ndjejnë që terreni ku qëndrojnë, nuk është stabil.

Problemet e natyrës shtetformuese e institucionalizuese sot e ndjekin shqiptarin, edhe kur është i Kosovës, edhe kur është i Shqipërisë, apo i trevave të tjera. Sepse njëjtë, pushtetarët tanë të sotëm bashkëpunojnë veç në prapaskena, për veten e tyre. Në skenën publike ata bashkëpunojnë vetëm në ditë feste.

Por bashkëpunimi duhet me qenë i përditshëm, në kuadër të zhvillimit e të ecjes përpara, që të bëhemi të fortë e të barabartë me të tjerët. Kjo nënkupton se duhet diskutuar unioni fiskal, doganor e monetar me Shqipërinë. Askush nuk pengon për këtë. Duhet bërë linja e interkonjeksionit, që të bashkohet rrjeti energjik. Këtë vetëm korrupsioni qeveritar po e pengon. Duhet të bashkohen akademitë e shkencave në një të vetme, dhe sistemi shkollor duhet njësuar. Që ta çojmë përpara kulturën tonë në 100 vjeçarin e dytë. Duhet plan i përbashkët bujqësor e industrial.

Të gjitha këto janë të mundshme, e ne urojmë që me ndihmën e çdo qytetari, me ndihmën e punëtorëve dhe prodhuesve, që të hidhen hapa realë e jo veç simbolikë në këtë drejtim.

Realizimi i këtij urimi programi ka nevojë për angazhim intelektual të cilitdo shqiptar për të ofruar një model të shtetit funksional, të drejtë, zhvillimor. Të një shteti të përbashkët, që ka për synim mirëqenien e gjithsecilit qytetar, e që nuk e lë askënd në mëshirë të fatit. Të një shteti ku ligji zbatohet mbi të gjithë njësoj. Të një shteti që nuk ka pse të na bëjë krenarë, se krenaria është ndjenjë folklorike, por të paktën nuk do të na bëjë me turp. E ky shtet, është synimi jonë, ky shtet është plani jonë. Nuk duhet, dhe nuk mund të presim edhe 100 vjet për t’ua dhënë shqiptarëve këtë shtet. Asgjë nuk ndodh rastësisht, e gjithçka është rezultat i punës dhe angazhimit tonë. Ky është mësimi i 100 vjetëve të shkuara, kjo është rruga që na shpie drejt pavarësisë së plotë, që është zhvillim, që është drejtësi, që është barazi me popujt e tjerë.

Gëzuar Ditën e Flamurit, urime për 100 vjetorin e Pavarësisë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›