E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendsoje vazhdon aktivitetet në Amerikë

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, u takua me anëtarët e komunitetit shqiptar në Qendrën Kulturore islamike shqiptaro-amerikane në Detroit. z.Kurti u mirëprit nga Imam Shuaip Gërguri i cili e informoi për aktivitetet e kësaj qendre dhe për kontributin që ky komunitet dha dhe vazhdon të jap për çështjen kombëtare. Anëtarët patën rastin të bashkëbisedojnë me z. Kurti dhe shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim në të ardhmen.

Delegacioni vazhdoi për në Kishën Shqiptare Katolike të Shën Palit në Rochester Hills, Michigan, ku u takua me Dom Fran Kolaj dhe anëtarë tjerë të kësaj qendre fetare. Aty u diskutua për gjendjen aktuale në Kosovë dhe për shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Dom Fran Kolaj informoi delegacionin për historinë e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan në Detroit dhe përpjekjet e këtij komuniteti për të avancuar interesin kombëtar.

Më pas z.Albin Kurti pati nderin të diskutojë për situatën aktuale në Kosovë dhe sfidat që kombi ynë i ka përpara vetes në dy televizionet shqiptare të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit.

Në darkë delegacioni u takua me qytetarët nga komuniteti në Imperial House, Clinton Township, Michigan, ku u prezantua programi dhe vizioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pas prezantimit qytetarët ishin të ftuar t’i bënin pyetje delegacionit dhe të shprehin mendimet e tyre rreth gjendjes së shqiptarëve në Ballkan. Bashkëbisedimi me qytetarët qe i frytshëm dhe secili shprehu falenderimet e tyre për ardhjen e delegacionit edhe përpjekjet për të vazhduar këtë bashkëbisedim dhe në të ardhmen.

Në orët e mbrëmjes delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mirëprit nga komuniteti shqiptaro-amerikan në një koktej me muzikë shqiptare. Aty delegacioni pati nderin të takojë aktivistë të rinj të shkolluar në ShBA dhe të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në këtë komunitet dhe për të çuar para interesin shqiptar përmes takimeve dhe ndikimit që ky komunitet ka në politikat e ShBA-së./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›