Rikualifikimi urban në Golem, Rama: Zgjidhim problemin e ujërave të zeza! Domosdoshmëri mbajtja pastër e mjedisit

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në Golem, ku inspektoi punimet që po kryhen për rikualifikimin urban të zonës, ndërsa theksoi se do t’i jepet fund problemit me ujërat e zeza në këtë pjesë të plazhit. Kryeministri vuri theksin te domosdoshmëria për mbajtjen pastër të mjedisit duke kërkuar ndryshimin e regjimit të pastrimit, duke filluar nga subjektet tregtare në radhë të parë.
“Kemi rënë dakord tek Plani Kombëtar, që subjektet tregtare, qofshin biznese, dyqane, hotele, restorante, nuk duhet të përdorin koshat dhe duhet t’i lënë mbeturinat në thes tek dera, në një orar të caktuar dhe të shkojë t’i marrë struktura që kemi organizuar bashkërisht me qeverinë, në mënyrë që të fillojë të ndryshojë komplet regjimi i pastrimit por dhe qasja nga ana e njerëzve, e subjekteve në radhë të parë. Kështu që, duhet ti rrimë mbi kokë çdo ditë që të fillojë të funksionojë siç duhet. Hotelet e kanë në interesin e tyre të parë që vendi të jetë i pastër dhe restoranti po ashtu”, u shpreh kryeministri.
E pranishme gjatë inspektimit të punimeve ishte edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako e cila sqaroi detaje të projektit.
“Rruga paralele me të cilën ne po punojmë ka një gjatësi rreth 4.5 km nga Plepat dhe do të rikonstruktohet komplet rruga sekondare, pra ajo që është paralel me autostradën, duke shtuar elementë të kanalizimeve të ujerave të bardha, atje ku ka nevojë dhe për sistemin e kanalizimit të ujerave të zeza, vendosjen e elementëve te ndriçimit dhe të gjelbërimit. Projekti në vetvete parashikon që gjatë sezonit të përdoret si një rrugë me dy sense, pra të behet hyrja për te Shkëmbi i Kavajës në zonën turistike dhe kthimi për në Durrës dhe Tiranë pastaj të dalë në pjesën e sipërme të rrugës, por kjo është një proces që ne do ta vlerësojmë dhe sipas nevojës pasi të mbarojë investimi”, tha Sako.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se investimi më i rëndësishëm në bllokun e parë është kolektori i ujërave të zeza.
“Jemi në përfundim të punimeve në vazhdimin e bllokut turistik të Golemit. Një vit më parë mbaruam bllokun e parë gjithë zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ajo që vlen të theksohet dhe është pjesa më e rëndësishme në investimin në këtë bllok është kolektori i ujërave të zeza. Këtu ku jemi është kolektori i madh, 6 metra nën tokë, bashkë me rrugët e tjera rreth 2,7 kilometra kolektorë që mbledhin gjithë ujërat e zeza në këtë zonë, e cila ka qenë një gangrenë në këtë zonë”, u shpreh Agolli./ rtsh.al