E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajzat e varrezave

Mendohej se ndonjë i sëmurë mendor shkatërronte varret, por të gjithë u befasuan kur panë që dy motrat dilnin natën për të vjedhur metal në banesat e fundit të të ndjerëve

RRËSHEN - “Vidhnim për të mbijetuar. Nuk kishim asnjë lek në shtëpi, as për copën e bukës. Prindërit i kemi të papunë dhe vuajmë për gjithçka”, thanë para uniformave blu të policisë së Rrëshenit dy motra të mitura, që vidhnin natën sendet e hekurta në varrezat e qytetit. Aq e vështirë duhet të jetë situata financiare në shtëpinë e tyre, saqë M. S. e A. S., të dyja nën 15 vjeç, zgjodhën të vjedhin varret për të siguruar bukën e gojës. Madje jo ditën, por natën, sikurse meshkujt e stërvitur me kësi gjërash. Dy motrat u ndalën nga policia me “presh në duar”, pas denoncimit të mirëmbajtësit të varrezave të Rrëshenit, i cili kishte pikasur se dita-ditës në këtë ambient zhdukeshin pjesët metalike, që nga mbajtëset e qirinjve, kryqet e varreve, vazot e luleve etj.

Ngjarja

M. S. e A. S. kanë dhunuar ditët e fundit më shumë se 20 varre. Familjarët e të vdekurve kanë dhënë alarmin, ndërkohë që i pari që është vënë në lëvizje ka qenë mirëmbajtësi i varrezave. Ai nuk ka arritur të identifikojë dhunuesit e varrezave, pasi gjithçka është kryer gjatë natës. Fillimisht, roja e varrezave ka vajtur në pikat e grumbullimit të hekurishteve. ku ka pikasur sendet e vjedhura, paçka se ata ishin deformuar. Bëhet fjalë për pjesë metalike që zbukurojnë varret, vazo lulesh, mbajtëse qirinjsh apo deri edhe tek kryqet e vendosur mbi pllakat e varreve. “Këto sende janë vjedhur në varrezat e qytetit. Jeni të lutur të mos pranoni zbukurimet e varrezave”, u ka thënë punonjësi i varreve pronarëve të hekurishteve. Këta të fundit e kanë mohuar të kenë ditur se hekurishtet e blera nga ato janë vjedhur në varrezat publike të qytetit. Mirëpo familjarët dhe mirëmbajtësit e shqetësuar për ngjarjen e pazakontë i janë drejtuar edhe policisë lokale, për të gjetur dhunuesit. Forcat blu e vlerësuan seriozisht denoncimin e bërë, ndaj urdhëruan identifikimin e personave që kishin vënë dorë mbi varrezat e qytetit të Rrëshenit. Specialistë të Policisë Kriminale dhe punonjës të rendit ngritën me këtë rast shërbime të fshehta pranë varrezave të dhunuara dy ditë më parë. Teksa prisnin që ndonjë i sëmurë mendor të ishte autori i “prishjes” së varreve, policët u befasuan kur në mbrëmje pikasën dy vajzat e mitura. Motrat u shoqëruan në polici dhe në prani të prindërve të tyre pranuan autorësinë e vjedhjes së bujshme. Ndërkohë, prindërit e të miturave të shoqëruara, e mohuan të kenë pasur dijeni për gjestin e fëmijëve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›