E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetmi në Mitrovicë

“Vetmi në Perëndim” është premiera e parë me të cilën nisi fillimin e punës Teatri Profesionist i Mitrovicës. Komedia e Martin McDonagh, me regjinë e Ilir Bokshit, provokoi audiencën e mitrovicasve. Nga Albana S. Muja më 09 shtator 2011 në ora 17:41

Qendra e Kulturës ishte ndryshe të mërkurën. Salla ishte e mbushur pothuajse në tërësi nga dashamirës arti, të cilët po prisnin fillimin e komedisë, e cila po hapte njëkohësisht fillimin e ri të teatrit Profesionist të Mitrovicës.

“Vetmi në perëndim” është një komedi e zezë, e cila bart një humor, që ndonëse të një shoqërie tjetër, ngjallte ndjenjë të veçantë edhe tek ne, herë-herë përkonte me realitetin, aq më shumë nëse do të ndalemi veç e veç tek personazhet e komedisë, të cilat nga regjisori Ilir Bokshi, ishin të jetësuara nga aktorët Abdinaser Beka, Eshref Durmishi dhe Driada Matoshi dhe Mirsad Ferati.

Audienca, që jo e vogël ishte në shfaqje, me duartrokitje të fuqishme e dha përgjigjen e saj, ndonëse edhe dramaturg e regjisor të vendin folën pak fjalë, që pa dyshim admiruan punën e regjisorit, lojën e aktorëve e edhe përkrahën idenë e krijimit të teatrit Profesionist të Mitrovicës.

Për dramaturgun, Arian Krasniqi, kjo shfaqje kishte një tekst jashtëzakonisht provokues dhe komunikues me publikun.

“Teksti ka një zhanër të komedisë së zezë që siç duket vazhdon ta provokojë në vazhdimësi regjisorin, Bokshi”, theksoi Krasniqi, ndërkohë vlerësoi që kjo premierë shënon një fillim të mbarë të punës së Teatrit të Mitrovicës.

“Për mua, edhe për shumë prej nesh, ka qenë mbresëlënëse ngjitja në skenë pas shumë vitesh e aktorit Abdinaser Beka, cili tash e sa kohë jeton jashtë Kosove”, tha Krasniqi.
Ndërsa për shfaqjen ai shtoi që ka qenë e realizuar dhe ka funksionuar si tërësi, pavarësisht kushtëzimeve teknike dhe materiale në skenën e Teatrit të Mitrovicës.
Për regjisoren, Burbuqe Berisha, shfaqja kishte shumë atmosferë, estetikë dhe një lojë të shkëlqyer të aktorëve. Ajo shtoi që rikthimi i aktorit, Abdinaser Beka është një sukses shume i madh.

“Po ashtu një ndjenjë te veçantë zgjonte edhe aktivizimi i teatrit me një regji shumë të avancuar dhe një tekst modern dhe atraktiv”, theksoi Berisha.

Ndërsa rikthimi i aktorit, Abdinaser Beka, në skenën tonë zgjoi shumë kureshtje. Dhe njëkohësisht u prit mjaftë mirë, loja e tij, edhe nga kritika por edhe nga audienca e cila, dëshmoj që e donte atë në skenë.

Ndërkohë, Abdinaser Beka për Express tha: “Jam ndjerë shumë mirë në skenë, madje as nuk e kam parashikuar ashtu si më doli”.

Ai shtoi që vetëm këtu është ai që është në të vërtet, ndonëse aktivitetet në profesionin e tij, nuk i ka ndalur as jashtë vendit.

“Në fakt, jam bërë si mysafir në Mitrovicë, mirëpo në premierë u ndjeva si në shtëpinë time. Kisha kolegë që më panë dhe më duartrokitën, më priti mirë publiku, dhe ajo ishte e mira për mua”, tha Beka.

Ndërsa Beka shtoi, që vetëm ideja që po formohet Teatri i Mitrovicës, ishte provokimi i parë që u rikthye.

“Unë kam punuar edhe si amator në këtë teatër, dhe krijimi i teatrit profesionist më ka ngacmuar që thjeshtë të jem edhe unë pjesëmarrës në këtë fillim të teatrit të Mitrovicës”, tha ai.

Beka njoftoi që menjëherë ka edhe oferta tjera për punë, ndonëse ai do të vazhdojë punën me reprizat e kësaj shfaqje në Mitrovicë por edhe në qendra tjera të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›