Vettingu i politikanëve, Berisha sulmon Bashën: Duhet të jesh super skllav i Ramës që bën këtë propozim

Ndalesa e radhës e Sali Berishës, me “Foltoren” e tij, ka qenë në Berat, ku ka komentuar Vettingun e Politikanëve, propozim i Lulzim Bashës.
“Amendamenti që Rama dërgon nëpërmjet tij në parlament, vettingu i politikanëve është i domosdoshëm, e kam mbështetur, por jo mbi rregulla policeske që mund ta përdor dikush për të marrë peng deputetë. Ne bëmë një ligj, komisioni i Venecias e përmbysi. Vettingu i politikave bëhet në mënyrë transparente, shtoji në formularin e deputeteve problemet, krijo komisionin e etikës pranë parlamentit. S’ka prokurori politike, i kemi të gjitha mekanizmat, se si mundet një forcë politike që e quan veten demokratike të propozijë që të vendosë SPAK i Edi Ramës, për mandatet e deputetesh. Duhet të jesh super skllav i Ramës që të bësh një propozim të tillë”, tha Berisha.
Ai ka pasur edhe një thirrje për mbështetësit e Lulzim Bashës.
“U them këtu, që të gjithë janë mbështetës të Lulzim Bashës. Por një njeri që të çon nga humbja në humbje, që në karrierën e tij regjistron 4 humbje me radhë, ai duhet të hapë rrugën. Nuk premton më asgjë përveç se disfata. U drejtohem të gjithë demokratëve pa përjashtim, njeriu në vështirësi dhe në kriza njihet, është e njohur kjo. Mendoni pak se çfarë bëri pasi humbi pas 25 prillit. Jo sikur ishte shkolluar në Hollandë, por si Kom Jong Un, vjen vendimi tjetër, përjashton kryetarin e Komisionit të Sigurisë, Flamur Nokën dhe kulmon me qëndrime ndaj zotit Luan Baçi, kreun e PD në Fier”, tha Berisha.