E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgimi/Akuzat me silenciator të Saikeq Tahirit

14-08-2012 / Gazeta 55

Si duket dënimi prej 5 milionë lekë gjobë ndaj deputetit Saimir Tahiri për “shpifje” nga Gjykata e Tiranës ka dhënë efektin e parë publik: më pak shpifje të rëndomta. Deputeti socialist Tahiri në konferencën e djeshme për shtyp është ruajtur tej mase nga etiketimet e përhershme fyese ndaj kundërshtarëve politikë, që mund të përbënin thelbin e një tjetër padie civile zhdëmtim moral, duke u mjaftuar të akuzojë në përgjithësi e sidomos në tym kryeministrin Sali Berisha si fajtor e përgjegjës për aksidentet në rrugë, për disa grabitje varësesh dhe çantash a ngjarje ordinere të krimit brena familjes a të rrugës, sigurisht duke e lidhur me politikën e emërimin të kreut të KLD-së dhe SHISH.
Padyshim është një risi vetëkontrolli verbal i nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cili është shquar për agresivitetin retorik ndaj kundërshtarëve politikë. Por frika e ligjit, siç thoshin latinet “sed lex dura lex”: ligj i ashpër por ama ligj.
Megjithatë në thelb të konferencës për media të opozitës nuk ishte solidarizimi me strukturat e policisë së Shtetit, të cilët përkundër pushimeve të politikës apo të një pjese të mirë të administratës së shtetit, është në krye të detyrës për të ruajtur rendin dhe pasur në parametra normalë krimin e narkotrafikun. Por loja e zakonshme për të pilotuar perceptimin publik se krimi po bën “namin”, çka është e papranueshme për një forcë politike që duhet të shkurajojë krimin duke e dënuar me vendosmëri. Keqpërdorimi me vendosmëri i kronikës së zezë për qëllime të lojës politike tregon një pamaturi të lidershipit të opozitës, e cila në vend që të analizojë situatën e përgjithshme të sigurisë dhe të japë recetën që, sipas saj, do të reduktonte aksidentet apo krimet brenda familjes, interesohet për të treguar me gisht fajin apo fajtorët e mundshëm.
Përpjekja artificial për të instaluar një klimë frike e tmerri me deklarata për shtyp sinjalizon për amatorizmin e përqasjes së dukurive komplekse të një shoqërie dinamike.
Sakaq sulmet e opozitës bazohen në një platformë të dukshme: qytetarët duhen bindur se kryeministri Berisha po emëron drejtues  institucionesh pa konsensus me qëllim përdorimin personal dhe terrorizimin e opozitës dhe shoqërisë. Një pikë e platformës nisi me demonizimin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë si përgjues i opozitës e ambasadorëve të huaj sikur të ishte shtojcë e Sigurimit të Shtetit dhe jo një agjenci inteligjente i një vendi të NATO-s.  Së fundmi po plotësohet me pikën e dytë të  platformës përndryshe rikthimi i fantazmës së ShIK-ut të 97 me do gazetarë që shkruajnë “do ndodhin gjëra të frikshme” e “unë kam tashmë sërish frikë”. Krejt patetizma të ushqyer prej dramës personale të një jete mediokre pa sukses në jetën publike. 
Sidoqoftë është e kuptueshme vetëpërmbajtja e Saimir Tahirit për të mos qenë “kamikaz” pa para i shefit të Opozitës, Rama, i cili urdhëron konferenca me SMS, pasi ka shkruar ca radhë në rrjetin social tëitter për lojërat olimpike në Londër gjoja e frymëzojnë për rilindjen e sportit. Po ashtu është e kuptueshme dëshpërimi i militantëve të majtë, të cilët shikojnë reagimet e Ramës dhe s’kuptojnë nëse ky e ka seriozisht apo po tallet dhe njëherë me ta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›