Brenda tetorit, pritet marrëveshja trepalëshe Shqipëri-Greqi-Itali për gazsjellësin TAP

Investimi për projektin e gazsjellësit Transadriatik, i cili kalon në territorin shqiptar, është parashikuar të jetë mbi 1 miliard euro. Të tre shtetet e interesuara kanë dhënë paraprakisht të gjithë mbështetjen e tyre institucionale për projektin që do të certifikohet nga Azerbajxhani në fillim të 2013-s dhe mendohet se marrëveshja do të firmoset në tetor, në Tiranë
Marrëveshja për delimitimin e kufirit detar me Greqinë mund të kthehet në një pengesë serioze për avancimin e bisedimeve dypalëshe lidhur me projektin e gazsjellësit TAP.
Mediat greke theksojnë se Italia, Greqia dhe Shqipëria duhet të mbyllin në tre muajt e ardhshëm marrëveshjet respektive për gazsjellësin TAP. Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Italisë, Dimitris Avramopulos dhe Xhulio Terci u takuan javën e kaluar në Romë dhe shprehën vullnetin për nënshkrimin e marrëveshjes lidhur me gazsjellësin TAP, një projekt tejet i rëndësishëm për hartën energjetike të Ballkanit dhe Evropës.
Mediat greke raportojnë se delegacionet e tri vendeve mund të takohen në tetor në Tiranë për të diskutuar lidhur me modalitetet për nënshkrimin e një marrëveshje trepalëshe, që do t’i hapte rrugë projektit TAP dhe do të përçonte një mesazh të fortë në Azerbajxhan.
Sipas tyre mbështetja politike që Tirana, Roma dhe Athina do të tregojnë ndaj këtij projekti të madh energjetik do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij. Brenda vitit 2013 konsorciumi që menaxhon rezervat e gazit në Shah Deniz do të vendosë përfundimisht për projektit fitues që do të sjellë gazin në Evropë.
Gazsjellësi TAP që kalon përmes Greqisë, Shqipërisë e Italisë duket të jetë më i avantazhuar pas marrëveshjes së British Petrolium dhe Total për të financuar këtë projekt të madh energjetik. Vetëm për investimin e kalimit të tubacionit në tokën shqiptare, projekti kap shumën prej 532 milion euro, ndërsa në total, ndërtimi i gazsjellësit TAP arrin në rreth 1,5 miliard euro. Me ndërtimin e këtij gazsjellësi, konsumatorët shqiptarë mund të furnizohen me rreth 2 miliard metra kub gaz natyror.
Nga ky projekt, shteti ynë do të ketë të drejtën që të blejë gaz dhe energji me çmim më të ulët se ato të tregut, për të plotësuar të gjitha nevojat e veta të brendshme me energji. Nga këto 200MË (ose e thënë ndryshe 5 milion kWh në ditë) energji elektrike si dhe 1 miliard metër kub gaz në vit do i shiten Shqipërisë me çmimin e prodhimit. Projekti lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit në Selanik dhe futet në Shqipëri në qarkun e Korçës në Devoll, vazhdon në jug nëpërmjet Kolonjës, Përmetit dhe zonës së Tepelenës, duke kaluar në rrethin e Vlorës dhe shkon në veri duke përshkuar zonën e Mallakastrës dhe arrin në detin Adriatik, në bregdetin afër Fierit.
Panariti-Avramopulos, Bisedë telefonike për bashkëpunimin e dy vendeve/Ministri i Jashtëm Edmond Panariti ka pasur dje një komunikim telefonik me homologun e tij grek, Dimitris Avramopulos. Lajmi bëhet i ditur nga ministria e Jashtme greke nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Në të thuhet se të dy ministrat diskutuan “çështjet e ndërsjella dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe perspektivën europiane të rajonit”. Avramopulos ka ftuar ministrin e jashtëm shqiptar për një vizitë zyrtare në Athinë në fillim të shtatorit.