E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhgimi/Prishtina po dështon në konkurrencën ekonomike me Beogradin

23-07-2012 / Gazeta 55

E bën të njëjtën punë si një mjek shqiptar, por paguhet dy herë më shumë. Ai është mjeku serb, i njohur me emrin Zoran, që punon tash e sa vite në qendrën kryesore shëndetësore në Graçanicë, vetëm pak kilometra larg kryeqytetit të Kosovës. Në këtë qendër punojnë edhe disa serbë të tjerë, por që të gjithë paguhen nga buxheti i Serbisë. Ky mjek i cili nuk ka pranuar që të flasë me emër për gazetën, e që sipas pacientëve, quhet Zoran, thotë se Serbia i paguan ata shumë më mirë sesa institucionet e Kosovës. Ai thotë se nuk e ka ndërmend që të heqë dorë prej Serbisë, jo vetëm për shkak të pagës më të lartë, por edhe për faktin se Serbia ata i furnizon me gjithçka që kanë nevojë. “Pagën e marr njëjtë si mjekët në Serbi, rreth 800 euro, andaj nuk ka logjikë që unë të lë këtë pagë, e të marr të Kosovës, e cila nuk është as sa gjysma. Mbaj familje dhe është normale që e shikoj interesin tim”, tha ky mjek, duke mos dashur të hyjë në tema politike.
As qytetarët serbë nuk u besojnë shërbimeve që ofrojnë institucionet e Kosovës. “Mos e dhashtë zoti që të shkoj në Prishtinë për shërim, përderisa e kemi Beogradin. Jo pse ata janë serbë e këtu shqiptarë, por për shkak se ata janë shumë më të aftë profesionalisht dhe kanë mjete të punës më të sofistikuara”, kështu thotë Maja Vaniq, një banore e Graçanicës. Ndërkaq, një qytetar tjetër i Graçanicës, Dragan Coliq thotë se institucionet e Kosovës nuk bëjnë asgjë që të kenë shërbime që t’u besojnë qytetarët. “Nuk dua të hyj në ato tema se a është shqiptar apo serb, se a i besoj apo jo, por është te shërbimi tek aftësia profesionale që në Serbi u besoj më shumë”, tha ky qytetar. Mosintegrimi i serbëve, sipas analistëve politikë, nuk ka të bëjë vetëm me arsye politike, por edhe për faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që të krijojnë ofertë konkrete për ta. Derisa në Graçanicë dhe në vendet tjera të banuara me serbë, ku janë të rrethuar me shqiptarë ende nuk është arritur integrimi i tyre, në veri as që mund të flitet për një integrim të shpejtë. Sidomos kur kemi parasysh faktin se Serbia po investon miliona euro për çdo vit në Kosovë.
Megjithatë, analisti politik, Adrian Arifaj, mendon se Serbia nuk do të mund të qëndrojë gjatë duke ofruar ndihma për veriun, sidomos kur kemi parasysh krizën financiare në të cilën gjendet ajo. “Vetë Serbia do të kërkojë një ditë që të gjejë mënyrë, një alternativëpër të ndërprerë financat në drejtim të veriut. Ndërsa qytetarët e veriut duhet ta kuptojnë që ndihma nga Serbia është e përkohshme”, tha Arifaj.
Ndërkaq, përfaqësuesit e partive opozitare kritikojnë Qeverinë e Kosovës, që nuk po bëhet më atraktive sidomos në ofrimin e shërbimeve ekonomike për serbët e veriut, në mënyrë që ata të kthehen kah institucionet e vendit. Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm në Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se popullata e thjeshtë në veri, nuk ka parë për katër vjet ndonjë ofertë për jetë më të mirë nga ana e shtetit të Kosovës. “Kërkesa e Aleancës për katër vjet me radhë, ka qenë që Qeveria e Kosovës të ofrojë investime ekonomike të fuqishme,e bashkë me to edhe sundimin e ligjit dhe demokratizimin e shoqërisë atje. Janë këto tri elemente që mund të jenë atraktive për banorët e veriut”, tha Ramadani. Vjosa Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se janë vetëqytetarët e veriut që e kanë pranuar që Prishtina nuk po iu ofron perspektivë ekonomike. “Partnerët tanë ndërkombëtarë që takohen me qytetarët në veri, na kanë informuar që shumica dërrmuese kanë deklaruar si problem kryesor ekonominë, që ata nuk e shohin si zgjidhje që iu ofron Qeveria e Kosovës”, tha Osmani. Nga të dhënat që ka marrë gazeta, një pagë e një mjeku specialit në Serbi është 800 euro, ndërsa në Kosovë 400. Pensionet kanë diferencë tepër të lartë, ku në Kosovë një pension është 40 deri në 80, derisa në Serbi pensioni më i ulët është 200 euro, e më i larti deri në 600 euro në muaj. Diferenca të mëdha ka edhe në arsim dhe në sektorë të tjerë. Kurse serbët që punojnë edhe për institucionet e Serbisë, por edhe për ato të Prishtinës, atëherë ata nga Serbia marrin vetëm 50 për qind të pagës që merr një koleg i tyre në Serbi.
Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, tha për ‘Zëri’, se angazhimi i Qeverisë së Kosovës mbetet trajtimi i barabartë dhe një e ardhme e përbashkët për shumicën në Kosovë. “Siguria juridike dhe ndërtimi i ardhmërisë me të drejta etnike të balancuara dhe me qasje ndihmuese nga bashkësia ndërkombëtare, është edhe më ndihmuese për njerëzit që kanë lindur dhe e mendojnë jetën në një shtet të caktuar”, tha Kuçi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›