E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’duhet vonuar me heqjen e imunitetit për gjyqtarët

23-07-2012 / Gazeta 55

Doris Pack, eurodeputete e grupit të Partive Popullore Evropiane

Imunitet për deputetët dhe jo për gjyqtarët. Ky variant i Parlamentit Europian, do të ishte fare mirë i aplikueshëm për Shqipërinë, sipas Doris Pack, eurodeputetes së grupit të Partive Popullore Evropiane. Në një intervistë të sajën ajo flet për procedura lehtësuese për heqjen e imunitetit të politikanëve me kërkesë të prokurorisë, por jo lënie e tyre pa këtë mburojë.
"Tek ne vetëm parlamentarët kanë imunitet. Por ky mund të hiqet nga parlamenti kombëtar, ose nga Parlamenti Evropian. Këtë unë e quaj një veprim normal, sepse të gjithë parlamentarët janë të barabartë me qytetarët e tjerë. Por, në ndryshim nga këta, deputetët kanë njëfarë garancie, meqë herë pas here ata flasin në emër të popullit. Dhe, kur e bëjnë këtë, ata edhe mund t?i kalojnë caqet e lejuara. Kurse gjykatësit nuk kanë imunitet, sepse ata nuk janë të zgjedhur nga populli. Ata janë funksionarë të emëruar dhe këta nuk kanë imunitet. Edhe këtu në Parlamentin Evropian funksionarët nuk kanë imunitet", tha Doris Pack, Parlamenti Europian.
Sipas Pack, nuk janë të rralla rastet kur prokuroritë e vendeve anëtare kërkojnë hetimin e eurodeputetëve, madje kjo është bërë një praktikë e përmuajshme  sipas saj.
"Nëse shikoni procedurën e Parlamentit Evropian,do të shihni se pothuajse çdo muaj ne votojmë për heqjen e imunitetit të njërit apo tjetrit deputet, me kërkesën e gjykatave të vendeve të tyre. Kështu veprohet këtu, kështu duhet të veprohet edhe tek ju", thotë Pack.
Kuvendi nisi me datë 20 shqyrtimin e dy drafteve për imunitetin, ai i socialisteve që kërkonte kufizim dhe ai i demokratëve për heqjen  fare të tij. Palët do të punojnë që në date 6 gusht të çojnë për votim një variant të përbashkët për këtë çështje.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›