E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgimi/Pse Blushi, Ruçi, Klosi e Majko bojkotuan konferencën e Ramës?

28-08-2013 / Gazeta 55

Rritet pakënaqësia brenda radhëve të Partisë Socialiste për nismat pa bukë të Edi Ramës. Konferenca dy ditore, “Shqipëria, Gjenerata e re” u bojkotua në një sinkron të çuditshëm nga eksponentë të luftës opozitare të tetë viteve të PS. Edhe pse të ftuar me shkresa, e-maile dhe sms të merrnin pjesë në këtë konferencë, Ben Blushi, Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj, Namik Dokle, Valentina Leskaj, Arta Dade e shumë të tjerë, i kanë thënë “jo” pjesëmarrjes duke i çuar një mesazh të qartë kryeministrit në ardhje. Edi Rama është tashmë i paralajmëruar. Edhe pse nuk kanë ende publikisht kundër qeverisë së re, zërat që gumëzhijnë për kritika dhe sharje nuk mungojnë. Rezervat e deputetëve që kanë qenë në front të parë të opozitës janë kryesisht të lidhura me kriteret dhe parimet e përzgjedhjes së ministrave të kabinetit Rama. Angazhimi i Pandeli Majkos apo Blendi Klosit nuk ka qenë më i pakët se kontributi i Erjon Velisë apo Eglantina Gjermenit, apo kontributi Fatmir Xhafës dhe Gramoz Ruçit në parlamenti nuk është i krahasueshëm më rolin periferik të Ilirian Celibashit apo burrit të ish-gruas së Ramës,  Bledi Cuçit. Mungesa e konsultimit apo transparencës së kritereve përfaqësuese ka lënë një shije të hidhur në mesin e deputetëve që kanë dhënë gjithçka për tetë vite dhe që shikojnë të parakalohen në ndarjes e tortës qeveritare nga rishtarë në PS. Kjo ka acaruar një pjesë të xhaketave të vjetra dhe deputetëve aktivë të Partisë Socialiste, si Erion Brace dhe Taulant Balla, ndërsa në heshtje ka qëndruar ish-kloni i Edi Ramës, Edi Shalësi. Në fakt, kanë të drejtë. Edi Rama ka bërë një qeveri me sejmenë, duke instaluar modelin e qeverisjes së bashkisë në qeverisjen e shtetit dhe kjo nuk u ka pëlqyer atyre që kanë sakrifikuar në opozitë. Ministrat e rinj sejmen  të Edi Ramës janë të certifikuar në besnikëri jeniçere. Ministrat Mimi Kodheli, Ilir Beqaj, Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Ilirian Celibashi, Arben Ahmetaj, etj janë produkte mercenarizmi në Bashkinë e Tiranës që i janë gjendur beut në mbledhjen e lekut. Edhe për zëvendësin e tij, Edi Rama ka vënë një kryebashkiak si Niko Peleshi që ka instaluar në Korçë modelin e shefit të tij në Bashkinë e Korçës.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Edi Rama me vendimin e tij për të bërë një qeveri me profil të ulët politik, ku ministrat i detyrohen në thelb për karrierën politike, do ta ketë të vështirë të menaxhojë një situatë jo fort të këndshme brenda grupit parlamentar. Qeverisjet socialiste nga 1997-2005 kanë treguar për lëvizjet tektonike të kësaj partie. Të çarat e para janë krijuar në ngrehinën politike të PS, të cilat herët ose vonë do të shfaqet në sytë e publikut. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›