E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhgimi/Rama po e shtyn Majkon drejt stacionit “Servet Pëllumbi”

03-07-2013 / Gazeta 55

Edi Rama në pritje të marrjes në dorëzim të pushtetit çdo ditë po organizon nga një festë si për t’i mbushur mendjen jo njerëzve por vetes që ka fituar.
Para dy ditësh u organizua festa e 23 vjetori i PS, ndërsa dje Rama festoi fitoren e PS në kryeqytet dhe nesër me katër korrik do të festojë ditëlindjen e 50-të.
Në gjithë këto zijafete publike dhe mediatike Edi Rama çuditërisht merret me Pandeli Majkon, duke i treguar histori të vjetra, kur Majko i kërkonte atij të hiqte çorapet e kuqe dhe të martohej sepse nuk e kishte pa afat këtë çështje. Sa herë ka mundësi publike, Edi Rama bën batuta të hidhura për Pandeli Majkon, ku një herë e quan thinjoshin, herë tjetër plaku dhe në fund kryeplaku, duke e barazuar me statusin politik që ka në PS Servet Pëllumbi, të një anëtari partie pensionist. Pandeli Majko e ka kuptuar mirë këtë gjysmë shaka e gjysmë të vërtetë, por qesh nga halli se s’di ç’të bëjë. Në fakt Majko është në vështirësi në Partisë Socialiste sepse të gjithë “shokët” si Arben Malaj, Fatos Nano, Kastriot Islami, e shumë të tjerë janë “kokëprerë” prej Edi Ramës. Jeniçerët e Edi Ramës si Sajmir Tahiri, Mimi Kodheli, Erjon Veliaj, Eduart Shalësi e shumë produkte politike  të pas 2009 e kanë alergji Pandeli Majkon, ish-kryeministër e ministër Mbrojtjeje. Ata duan të neutralizojnë të gjithë “gardën e vjetër” për të pasur kontroll të plotë me rrethin e tyre të ngushtë.
Edi Rama po u jep sinjale të qarta mbështetësve të tij, se pleqtë si Majko do të mënjanohen me stil. Nuk do të kalojë shumë kohë kur të shikojmë Pandeli Majkon që pyetet me të njëjtat pyetje që i bën Servet Pëllumbin për të kaluarën e PS.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›