Vëzhguesit e parë të OKB-së zbarkuan në Siri

Gjashtë vëzhguesit e parë të OKB-së, që do të monitorojnë armëpushimin kanë arritur në Siri, edhe pse përleshjet e reja në vend kërcënojnë minimin e armëpushimit.
Aktivistët thanë se ka pasur granatime të rënda mbi qytetin e Homsit, derisa kryengritësit raportohet se kanë sulmuar një stacion policor në Alepo.
Raportet nuk janë verifikuar nga burime të pavarura.
Dhuna shpërtheu vetëm një ditë pasi që Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi vendosjen e një ekipi prej 30 vëzhguesish të paarmatosur, për të monitoruar armëpushimin që hyri në fuqi më 12 prill.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon të shtunën përmendi granatimin e Homsit dhe kërkoi nga qeveria siriane që të respektojë marrëveshjen e armëpushimit.