E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit ndërkombëtarë, kritika ndaj zgjedhjeve në Bjellorusi

Vëzhguesit ndërkombëtarë po kritikojnë ashpër zgjedhjet parlamentare të së dielës në Bjellorusi. Partitë që mbështesin Presidentin Alexander Lukashenko fituan shumicën në votimet e së dielës, të cilat opozita i cilëson si një mashtrim. Si opozita, edhe vëzhguesit thonë shifra se 74 për qind e votuesve morën pjesë në votime është e manipuluar.

Opozita i bojkotoi zgjedhjet dhe i kërkoi votuesve të qëndrojnë në shtëpi. Presidenti Lukashenko e quajti opozitën "frikacake". Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vënë sanksione ekonomike dhe udhëtimit ndaj zyrtarëve të qeverisë bjelloruse për goditjen e saj shpeshherë të dhunshme ndaj opozitës.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, tha se votimi nuk përmbushi standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ajo tha se nëse Bjellorusia dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, ajo duhet të respektojë të drejtat e njeriut, të lirojë të burgosurit politikë, dhe të marrë hapa për mbajtjen e zgjedhjeve vërtet demokratike.

Uashingtoni e ka quajtur zoti Lukashenko "diktatori i fundit i Evropës" për shtypjen e lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut, për shtypjen e opozitës dhe manipulimin e zgjedhjeve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›