Via Egnatia, në Peqin me mesazhin e miqësisë dhe paqes
Turistë të vendeve të Europës, por edhe nga Amerika, kanë ndaluar mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Peqinit. Këta turistë ishin anëtarë të fondacionit Via Egnati, dhe grupi përbëhej nga 35 veta. Anëtarët e këtij fondacioni të ardhur nga Hollanda, Greqia, Amerika, Rumania, Maqedonia, Bullgaria, etj, kanë ngritur çadrat pikërisht brenda kalasë së lashtë të këtij qyteti.
Fondacioni Via Egnatia është themeluar në vitin 2007 me objektivin për të sjellë një jetë të re në "Via Egnatia. Përfaqësuesit e këtij fondacioni janë pritur nga kreu i bashkisë së Peqinit Ilir Rrushaj, si edhe nënprefekti Sokol Elezi, të cilët në këtë kuadër kanë organizuar edhe një koncert me pjesëmarrjen e artistëve të Ansamblit të Qendrës Kulturore të qytetit të Peqinit. Përfaqësues të fondacionit kanë vallëzuar bashkë me valltarët e qytetit këngë të ndryshme të Shqipërisë së Mesme. Koordinatorja e këtij fondacioni Marietta Van Attekum me origjinë Hollandeze theksoi se: të realizosh udhëtime të tilla do të thotë të shkëmbesh kulturën mes vendeve."Via Egnatia", është si një simbol për komunikim në çdo kuptim dhe në të gjitha nivelet, qëllimi i saj final është miqësia dhe paqja."