Video Meta-Prifti: Prokuroria: ora përgjuese nuk është origjinale
Tiranë Seanca e radhës në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, ndryshe nga zakonisht, nisi në orarin e përcaktuar nga gjykata për të vazhduar deri në orën 17:30 të pasdites. Gjyqi maratonë që u ndërpre disa herë pasi gjykata duhet të merrte vendime rreth kërkesave të palëve, përfundoi me caktimin e detyrave për tre ekspertët dhe debate për provat që do t’i nënshtrohen ekspertimit. Që në fillim të seancës gjyqësore përfaqësuesi i akuzës kërkoi nga gjykata që ora me të cilën supozohet të jetë kryer përgjimi Meta-Prifti, të mos ekspertohej, pasi ajo nuk është provë origjinale. Po ashtu, prokurori kërkoi që ekspertimit mos t’i nënshtrohen as materialet e tjera që gjenden në kompjuterin Lap-Top të dorëzuar nga Prifti në Prokurori, pasi aty ka video të tjera që janë në proces hetimi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Tiranës. Por pavarësisht këtyre kërkesave, Kolegji penal rrëzoi prokurorinë duke u vënë në dispozicion ekspertëve edhe orën me të cilën mund të jetë kryer përgjimi, edhe pse eksperti amerikan nuk gjeti asnjë gjurmë të videos në orën e tavolinës. Nëse kjo provë rezulton jo origjinale, atëherë mund të vihet në pikëpyetje gjithë procesi hetimor i zhvilluar nga Prokuroria e Përgjithshme. Madje kjo ka qenë çështja ku avokatët e z.Meta janë fokusuar pas përfundimit të seancës gjyqësore, duke akuzuar prokurorinë se ka dezinformuar publikun dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, duke u thënë se ka prova origjinale për këtë çështje. Megjithatë, Gjykata ia doli, pavarësisht vonesave, të caktojë 18 detyra për tre ekspertët që kërkuan një muaj kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe avokatëve mbrojtës të të pandehurve.
Në fillim të seancës, ku ishin të pranishëm dhe tre ekspertët e përzgjedhur nga Gjykata: Artur Rahmani, Adrian Pollo dhe Ermal Beqiri, prokurori kërkoi përjashtimin e ekspertëve. Sipas tij, asnjë prej tre ekspertëve të caktuar nga gjykata nuk ka njohuri të posaçme tekniko-shkencore në këtë fushë dhe, për këtë arsye, ata nuk mund të jenë pjesë e grupit që do të ekspertojë videon Meta-Prifti. Madje organi i akuzës kishte shkëmbyer e-maile me Institutin “STC” në Moskë, Rusi, të cilit i kishin kërkuar informacion për një prej ekspertëve, i cili në CV kishte shënuar se kishte kryer një trajnim pranë këtij Instituti. Sipas prokurorit, instituti në fjalë përgjigjej se certifikata e lëshuar prej tij tregon se individi, në rastin konkret eksperti, ka përfunduar me sukses kursin të cilin ka ndjekur, por kjo jo domosdoshmërish do të thotë se ai ka ose jo njohuri të posaçme në këtë fushë. Pas kësaj përgjigjeje, prokurorit Bujar Sheshi iu drejtuan dy pyetje, fillimisht nga gjyqtarja Adriana Fullani dhe më pas nga anëtarja tjetër e trupit gjykues, Majlinda Andrea. Gjyqtarja Fullani pyeti prokurorin nëse organi i akuzës disponon një listë me ekspertë nga të cilët mund të bëhet një përzgjedhje. Prokurori argumentoi se i vetmi ekspert është Dritan Zoto, i cili u përjashtua një seancë më parë, pasi kishte dhënë mendim në shtypin e përditshëm për këtë çështje. Por përgjigjja e prokurorit pasoi një tjetër replikë të gjyqtares, e cila tha se do të bënte të gjitha pyetjet që i dukeshin asaj të nevojshme për procesin, madje i tërhoqi vëmendjen prokurorit për mënyrën e të shprehurit. Pas një konsulte të shkurtër të trupit gjykues, kërkesa e prokurorit për të përjashtuar tre ekspertët u rrëzua. Gjithashtu, gjykata rrëzoi edhe kërkesën për të mos ekspertuar orën e depozituar në Prokurori nga Dritan Prifti, pasi, sipas tij, nuk është prova origjinale. Pas një vonese gati dyorëshe, kolegji penal caktoi 18 detyra për ekspertët dhe iu la atyre 1 muaj kohë në dispozicion për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Të pranishëm gjatë kryerjes së akt-ekspertimit do të jetë dhe një përfaqësues i Prokurorisë, i cili mund të jetë dhe prokurori i çështjes, ndërsa vendi ku do të kryhet ekspertiza do të caktohet pas konsultimeve që ekspertët dhe përfaqësuesi i akuzës do të zhvillojnë mes tyre.
Kush janë ekspertët që kanë në dorë videon “Meta-Prifti”
Ja CV-të e ekspertëve Artur Rahmani, Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri. Rahmani drejtor ekzekutiv i një Instituti privat ekspertimesh, ndërsa dy ekspertët e tjerë pedagogë në një universitet privat
Tiranë Tre ekspertët e përzgjedhur nga Gjykata e Lartë për të ekspertuar videon Meta Prifti kanë qenë dje të pranishëm në sallën e gjyqit, ku kanë kryer betimin dhe kanë pranuar të marrin detyrat që u caktoi gjykata për këtë çështje. Por, kush janë tre ekspertet që do kenë në dorë fatin e gjykimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta? Sipas CV-ve personale të tyre, të cilat u janë vënë në dispozicion përfaqësuesit të akuzës dhe avokatëve që mbrojnë ish-zv.kryeministrin Ilir Meta, dy prej tyre rezultojnë të jenë pedagogë në një universitet privat në Tiranë, ndërsa i treti, eksperti Artur Rahmani është themelues i një instituti privat në fushën e ekspertimeve. Ermal Beqiri, 30 vjeç, i shkolluar në Francë, ka gradën shkencore doktor në fushën e sistemeve informatike për administratën e universiteteve, ka shkruar në kurrikulumin e depozituar në Gjykatën e Lartë, se përveç eksperiencës si lektor në një universitet privat, ka punuar në marketing, negocim me klientët për furnitorët, ka punuar në instalime portash elektronike dhe alarmesh elektrike. Në cv-në e tij nuk mungon as puna e kamerierit në një restorant universitar. Aktualisht 30-vjeçari Beqiri, i lindur në qytetin e Gjirokastrës, kryen funksionin e drejtorit të IT-se në rektoratin e Universitetit të Tiranës, ndërsa është i diplomuar në Francë për teknik superior. Artur Rrahmani, eksperti tjetër i përzgjedhur nga gjykata, është diplomuar në Fakultetin Juridik si dhe ka kryer një kurs pranë Ministrisë së Brendshme. Rahmani shkruan në CV-në e tij se ka punuar në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, si dhe ka një eksperiencë disavjeçare si avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë Tiranë. Eksperti shpjegon në kurrikulumin e tij se është aktualisht ekspert kontrolli për kartëmonedhat dhe kryerjen e transaksioneve të shkëmbimit të kartëmonedhave si dhe drejtor ekzekutiv i qendrës shkencore të mbrojtjes se individit. Aty është angazhuar si ekspert i identifikimit të personave nëpërmjet zërit, fakt ky i konfirmuar prej tij edhe gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Lartë. Rrahmani ka bërë një kurs për identifikimin shkencor me anë të zërit, kurs ky i kontestuar dje në gjykatë nga prokuroria. Ndërsa eksperti i tretë Adrian Pollo është diplomuar në Universitetin e Tiranës si inxhinier elektronik dhe më tej ka kryer studime autodidakte rreth disa programeve kompjuterike. Për pesë vjet ai deklaron në CV se ka qenë i vetëpunësuar në montimin e software-ve. Aktualisht ai ushtron detyrën e shefit të departamentit të Informatikës pranë një universiteti privat në Tiranë.
Avokati: Prokuroria dezinformoi publikun dhe Kuvendin
Tiranë Menjëherë pas përfundimit të seancës së djeshme gjyqësore ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, reagoi edhe avokati i tij Gëzim Veleshnja. Në një deklaratë për mediat avokati tha se prokuroria dezinformoi jo vetëm publikun, por edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kur kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta. “Në seancën e sotme gjyqësore, nga ana e përfaqësuesit të prokurorisë iu kërkua gjykatës që ekspertët e thirrur prej saj të mos u vënë në dispozicion orën në të cilën është realizuar përgjimi Meta-Prifti, ora është e vetmja provë materiale origjinale. Pasi në orë nuk gjendet regjistrimi i fshehtë Meta-Prifti. Gjë që tregon se gjithë ky proces është një proces i montuar dhe një lojë politike”- deklaroi avokat Veleshnja. Sipas tij, seanca e djeshme konfirmoi njëkohësisht edhe faktin se prokuroria në mënyrë abuzive ka ndikuar në marrjen e vendimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të deputetit të z. Ilir Meta. “Ky organ ka dezinformuar publikun dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kur kanë deklaruar në kërkesën e tyre se disponon filmimin origjinal dhe provën origjinale materiale të marra në orën përgjuese. Mungesa e provës origjinale materiale, në vështrim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, por edhe të praktikave gjyqësore të vendit tonë dhe të vendeve të tjera ndërkombëtare, e bën këtë proces të parregullt ligjërisht”- tha avokati.