E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja për pronat, dy vëllezërit sulmojnë prefektin e Vlorës

Ditën e djeshme Erjon dhe Ilir Limushaj kanë tentuar të godasin Eduard Velçanin, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur roja i godinës dhe një sekretare

Vlorë Sulmohet prefekti i Vlorës dhe rrihen dy punonjës të prefekturës. Dy vëllezërit, Erjon dhe Ilir L. e kanë ndaluar prefektin e Vlorës, Eduard Veçani, teksa ai po dilte nga zyra, me pretendimin se donin një takim me të për një dokument pronësie që duhej të firmosej nga prefektura.

Refuzimi i prefektit, i cili i ka adresuar te zyra e protokollit, ka shkaktuar nervozizëm të menjëhershëm te të rinjtë. Ata kanë tentuar ta ndalojnë dhunshëm, duke e kapur nga rrobat. Menjëherë kanë ndërhyrë disa punonjës, si dhe roja e institucionit, të cilët kanë arritur të shmangin dhunën mbi prefektin, por agresorët i janë drejtuar më pas rojës, duke e qëlluar. Njëri prej tyre ka tentuar të hyjë, dhe njëra prej punonjëseve ka dashur të mbyllë derën. Personi ka qëlluar me grusht në xhamin e derës, ku grushti ka kapur edhe punonjësen, në pjesën e nofullës si dhe në dorë.

“Duke parë debatet dhe vrullin që kishte marrë personi, instinktivisht shkova të mbyll derën, por në mënyrë të menjëhershme ai qëlloi me grusht në xham dhe nga goditja më dëmtoi dorën. Jemi ende të tronditur nga ajo që ndodhi”, tregon me pak fjalë punonjësja e dëmtuar. Në pjesën hyrëse të prefekturës, ku ndodhet edhe sekretaria, dyshemeja ishte mbushur me pjesë xhamash, ndërkohë që sulmi ka qenë objekti i bisedës dhe shqetësimit për gjithë punonjësit. Ndërkohë, policia ka arritur të shoqërojë fillimisht njërin prej dhunuesve e më pas edhe tjetrin. Mësohen se ata janë dy vëllezër, Erjon dhe Ilir L, 20 dhe 26 vjeç. Të cilët akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Në një intervistë për gazetën prefekti i Vlorës, Eduard Velçani, tregon dhe hollësitë sesi ndodhi ngjarja.

Si ndodhi përplasja me dy të rinjtë?

Incidenti ka zgjatur rreth një orë. Punonjësit e prefekturës dhe objekti janë sulmuar nga dy të rinj, të cilët unë i shikoja për herë të parë. Ishin të interesuar për një procedurë rutinë që bëhet në prefekturën tonë. Më ndaluan në rrugë, më pyetën dhe u thashë të merrnin vendimin në zyrën e protokollit, ndërkohë njëri prej tyre tentoi të më godiste, por në sajë të faktit që ishte punonjësi i shërbimit të zjarrfikëses si dhe shoferi i prefekturës, nuk arritën të më godisnin. Unë iu shmanga konfliktit me dhunë, hyra në zyrë, ata vazhduan, thyen xhamat, sulmuan dhe goditën punonjësit. Disa prej tyre kanë marrë plagë të lehta.

A janë identifikuar autorët?

Drejtori i policisë më tha se janë identifikuar dhe i kanë ndaluar.

Çfarë kërkuan konkretisht?

Kërkonin një procedurë që lidhet me vendimin e komisionit të tokave.

Ju debatuat?

Jo, jo. Ata më kërcënuan, më fyen, por unë nuk debatova.

Sa ka zgjatur një situatë e tillë?

Nja 15 minuta, ndoshta, nuk e përcaktoj dot drejt.

Është sulmuar herë të tjera prefektura?

Mesa di unë, e para. Nuk i njihja të rinjtë, është hera e parë që i shoh. U prezantuan, por hetimet do t’i zbulojnë. Nuk kam pas asnjëherë kontakt me ta. Ata u prezantuan dhe pastaj tentuan të më qëllonin.

Si është gjendja juaj shëndetësore?

Unë nuk kam absolutisht asnjë pasojë shëndetësore. Ka patur fyerje dhe tentativë për të më goditur, por goditje nuk kam marrë. Më kanë kërcënuar.

Kërcënime të çfarë lloji?

Do të të zhdukim. Do të të vrasim.

Ndiheni i frikësuar?

Absolutisht jo. Unë i bëj thirrje strukturave të policisë të intensifikojë luftën kundër krimit. Kjo është një inkurajim që krimi mori për shkak të ngjarjeve të fundit në Vlorë. Unë nuk e di nëse janë persona me precedent penal. Nuk i njoh, por të gjithë punonjësve të rendit, të policisë, të shërbimit informativ kombëtar, ju bëj thirrje të forcojnë luftën kundër krimit. Është shansi të luftojmë të gjithë kundër krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›