E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhnin ilaçet e të sëmurëve me kancer, tre në pranga

SHKRUAN: Habjon Hasani 24-09-2011 11:17

Bien në prangat e policisë një farmaciste, bashkëshorti i saj mjek privat dhe një tjetër shtetas, të cilët dyshohen si pjesë e një grupi që vidhnin dhe trafikonin ilaçet shtetërore të destinuara për pacientët e spitalit shtetëror “Nënë Tereza” në Tiranë. Operacioni është drejtuar nga grupi Task Forcë i Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me policinë e shtetit, ndërsa prej një muaji tre të dyshuarit kanë qenë në survejim. Jetmira Koleci, Nikoll Koleci dhe Andonaq Zili janë arrestuar mbrëmjen e së enjtes rreth orës 20:00 të mbrëmjes, ndërsa në shtëpinë e Nikollë Kolecit u sekuestruan në flagrancë dhe disa koli me ilaçe, që paraprakisht dyshohet se kapin një vlerë mbi 50 mijë euro. Burime nga Task Forca e kryeqytetit kanë saktësuar dje se Jetmira Koleci punonte në depon farmaceutike të spitalit onkologjik në Tiranë dhe ilaçet e gjetura në shtëpinë e bashkëshortit të saj Nikoll Koleci janë me vulën e spitalit shtetëror, ndërsa i arrestuari i tretë Andonaq Zili dyshohet se ka qenë i angazhuar në transportimin e ilaçeve nga farmacia shtetërore drejt shtëpisë së çiftit. Të njëjtat burime shprehen se ilaçet janë ndër më të shtrenjtat në treg dhe të dedikuara në pjesën dërrmuese të tyre për pacientët e onkologjikut, me kancer, ndërsa prej vitesh është vërejtur mungesa e këtyre ilaçeve në spitalet shtetërore, ndonëse prokurimet bëheshin rregullisht. Burime të rezervuara nga prokuroria janë shprehur dje se hetimet do të vazhdojnë edhe mbi persona të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë çështje, ndërsa do të jetë verifikimi i faturave të depos farmaceutike shtetërore ku punonte Jetmira Koleci ajo që do të përcaktojë ecurinë e hetimeve. Fillimisht prokuroria do të bëjë marrjen në pyetje të tre të arrestuarve, ndërsa sot do të nisë verifikimi i inventarit dhe faturave të farmacisë shtetërore. Fillimisht do të verifikohen “faturat hyrëse” të ilaçeve që ka nënshkruar e arrestuara Koleci dhe pas tyre do të bëhet verifikimi i “faturave dalëse” për të bërë rakordimet. Prokuroria, nëse do të verifikojë “fatura dalje” nga farmacia që kanë shkuar për spitalin dhe që i përkojnë këtyre ilaçeve, do të përfshijë në listën e të arrestuarve dhe të dyshuarve për këtë çështje dhe drejtuesit apo punonjësit e spitaleve që kanë nënshkruar këto fatura. Paraprakisht, organi i akuzës dyshon përfshirjen e të tjerë personave në këtë skemë dhe dyshohet se edhe drejtues administrativë të QSUT-së mund të kenë ndihmuar ose orientuar tre të arrestuarit në realizimin e kësaj skeme mashtrimi, e cila duket se këtë herë ka prekur ilaçet e pacientëve që vuajnë me sëmundjen e rëndë të kancerit. Paraprakisht mësohet se kur janë marrë në pyetje në polici tre të arrestuarit në flagrancë kanë refuzuar të japin të dhëna dhe të bashkëpunojnë me hetuesit mbi njerëzit që mund t’i kenë ndihmuar dhe detajimin e skemës së vjedhjes. Prokuroria nga ana e saj mësohet se do të kërkojë masën e arrestit burg pa afat ditën e sotme për tre të arrestuarit, ndërsa ekipi i “Task Forcës” ka nisur që dje verifikimet dhe mbledhjen e informacioneve për të gjurmuar dhe dokumentuar përfshirjen e të tjerë punonjësve shtetërorë në këtë skemë mashtrimi dhe vjedhjeje.

Urdhri i Mjekut: Korrupsionin në shëndetësi e bën politika

Korrupsionin në shëndetësi e bën politika. Kështu ka deklaruar kreu i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, i cili thotë se dukuria nuk do të zbutet dhe pritet të rritet, nëse nuk do të ndryshojnë krerët e institucioneve, pjesa më e madhe e të cilëve nuk janë profesionistë, por të emëruar nga politika. Për kreun e Urdhrit të Mjekut, edhe infrastruktura e vjetruar, pagat e vogla dhe cilësia e mangët e shërbimeve shëndetësore, ndikojnë gjithashtu në rritjen e numrit të mjekëve që marrin ryshfet. “Faktorë të tjerë favorizues që ndikojnë në rritjen e korrupsionit janë administrata, që është më shumë e politizuar sesa administratë profesionale. Problemi zgjidhet vetëm nëpërmjet reformimit të këtij sistemi. Nëse nuk do të kryhen reforma që janë të domosdoshme, në mjekësi do të ketë vazhdimisht korrupsion dhe, në vend që të vijë duke u përmirësuar, situata do të përkeqësohet”, - tha Abazaj. Reagimi i Abazajt vjen edhe pas raportit të INSTAT-it, ku thuhej se 71% e pacientëve japin ryshfet.

QKB: Pulla në ilaçe identifikoi vjedhjen

Pulla e vendosur në barnat spitalore, në të cilën shkruhet “medikament për përdorim spitalor”, ka shërbyer për të identifikuar ilaçet e dala nga pavijonet e QSUT, për t’u tregtuar në farmacitë private rreth këtij spitali. Kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj, thotë se nga spitalet e shtetit kanë dalë për t’u shitur në farmaci edhe shiringat. “Të gjitha barnat që janë me pullën për përdorim spitalor, por dhe me vulën e vendosur nga subjektet farmaceutike që i kanë treguar në spital, dhe këto barna do të verifikohen kur kanë dalë nga depoja e spitalit, kur janë blerë, te cila farmaci e cilit spital janë shitur”, - deklaroi Jakaj. Ai ka bërë të ditur se aktualisht sasia e barnave të konfiskuara ndodhet në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave (QKB), ndërkohë që ka siguruar se edhe në rrethe të tjera të vendit do të nisin inspektime më intensive jo vetëm në farmaci, por dhe në spitale.

Ivziku: Do të largohet nga puna kush abuzon me ilaçet

Të gjithë ata që punojnë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë nën inspektim për abuzimet me barnat e pacientëve. Pas arrestimit të dy mjekëve dhe një farmacisteje që shisnin medikamentet e spitalit në farmaci private, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, ka deklaruar se çdo punonjësi që i konstatohet shkelje, largimi nga puna do të jetë i menjëhershëm dhe çështja do të shkojë për hetim në Prokurori. Sipas drejtorit të QSUT-së, vetëm farmacistja ishte pjesë e stafit të këtij spitali, dhe bashkëpunonte me dy mjekë që nuk figurojnë si të punësuar në këtë institucion. Në fakt, ky nuk është rasti i parë që barnat e spitalit më të madh të vendit janë nxjerr prej tij për t’u tregtuar në farmacitë private, por është i pari rast kur drejtoria e QSUT-së deklaron se ka ngritur një grup pune që po merret me verifikimin në të gjitha hallkat të lëvizjes së medikamenteve, materialeve të mjekimit nga farmacia qendrore drejt farmacive periferike dhe në shërbimet përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›