E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video e Iso-s, në xhiron e botës



Për herë të parë trashëgimisë sonë shpirtërore i kushtohet një dokumentar, si përpjekje për të dhënë imazhin e kompletuar të Iso Polifonisë, si pjesë e dosjes së listimit, si trashëgimi botërore. Është një interval tepër i shkurtër, afro dhjetë minuta, ku tradita e kulturës sonë paraqitet përmes grupeve folklorikë që kanë bërë historinë e kësaj fushe, të shoqëruar me histori vallesh dhe traditë qytetesh. Ky dokumentar aktualisht gjendet edhe në versionin “online”, si një prej opsioneve të sitit të UNESCO-s

Video e Iso-s, në xhiron e botës

Intervistoi: Suela Furriku

Për herë të parë trashëgimisë sonë shpirtërore i kushtohet një dokumentar, si përpjekje për të dhënë imazhin e kompletuar të Iso Polifonisë, si pjesë e dosjes së listimit, si trashëgimi botërore. Është një interval tepër i shkurtër, afro dhjetë minuta, ku tradita e kulturës sonë paraqitet përmes grupeve folklorikë që kanë bërë historinë e kësaj fushe, të shoqëruar me histori vallesh dhe traditë qytetesh. Në një udhëtim të shpejtë nga grupet e Vlorës, Gjirokastrës, apo mjeshtri i sazeve të Përmetit, Usta Laver Bariu deri tek grupet e të rinjve - janë përfshirë si subjekte të një rëndësie të lartë interpretative. Ky dokumentar do të bëjë xhiron e botës, si e vetmja dëshmi e gjallë për të treguar arsyet pse është një pasuri botërore e rrallë, e shoqëruar në ekran, me shpjegues historikë mbi iso-polifoninë, kjo në gjuhën angleze.

Ndonëse shfaqet për herë të parë në një auditor shumë të ngushtë, ky realizim është prodhuar në vitin 2005. Në përgatitjen e tij, sipas drejtuesit të ruajtjes së fondit të kulturës kombëtare pranë Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Prof. As. Dr. Vasil Tole janë shfrytëzuar të gjitha arkivat, por materialet më të rëndësishme janë marrë nga arkiva e Institutit të Kulturës Popullore dhe burimet publike. Nga ana tjetër, Tole ndalet në traditën dhe format dalluese të identitetit tonë si një kulturë e tërë jetese që po shkon drejt zhdukjes. Sirenat e urgjencës janë aktivizuar si apel për ruajtjen dhe mbrojtjen e kryeveprave të trashëgimisë shpirtërore, ku përfshihen këngë, valle, instrumente muzikore të zonave nga Jugu në Veri etj., në kartelizmin e tyre në listën me përmbajtje të kësaj pasurie identifikuese, në sy të botës. Pikërisht, këtu e ka vënë theksin Tole, i cili përpos ngritjes së shqetësimeve të trashëgiminë sonë shpirtërore në një workshop organizuar dy ditë më parë, prononcohet për “standard” edhe mbi realizimin e dokumentarit.

Ky dokumentar aktualisht gjendet edhe në versionin “online” si një prej opsioneve të sitit të UNESCO-s. Ndërkohë që si një pikë delikate, ai përmend edhe një tjetër shqetësim zinxhir, siç është ai i depërtimit të traditës sonë shpirtërore tek gjeneratat e reja. Kompozitori dhe anëtari i këshillit ndërkombëtar të muzikës (imc) UNESCO, Tole, shpjegon se një rol të rëndësishëm në këtë çështje ka edhe adaptimi i kësaj pasurie në programet e lëndëve mësimore, veçanërisht në shkollat 9-vjeçare.

Një ditë më parë pamë një dokumentar, shfaqur me rastin e organizimit të një workshop-i për trashëgiminë shpirtërore. Për herë të parë e shohim për publikun, si është realizuar?

Po, është hera e parë që shfaqet publikisht. Ky dokumentar ishte pjesë e përpjekjeve që ne bëmë për plotësimin e dosjes së Iso Polifonisë. Ne kemi hasur shumë vështirësi në realizimin e tij, sepse duhej konceptuar jo në më shumë se dhjetë minuta për të pasqyruar në të gjitha format këtë trashëgimi shpirtërore, duke u nisur edhe nga fakti që Iso Polifonia u shpall kryevepër dhe fakti që ky dokumentar është tashmë pjesë e website-t zyrtar të UNESCO-s. Tani çdokush që klikon tek opsioni “Albania”, edhe ky dokumentar është i pranishëm, që do të thotë se vlerat e krijuara nga populli ynë janë të paraqitura denjësisht në këtë format të tipit audio dhe video.

Pra, ky dokumentar do të jetë tashmë edhe “online”?

Po, do të shfaqet dhe do të mund ta gjejmë duke klikuar në linkun www.unesco.org/matsterpieces, pas disa kërkimesh në opsionin “Albania”.

Cilët janë materialet arkivore që keni shfrytëzuar për ta ndërtuar këtë dokumentar?

Këto janë kryesisht burime publike, ndërkohë që sa i përket materialeve, janë shfrytëzuar të gjitha arkivat, por më tepër dokumentari është ndërtuar nga arkiva e Institutit të Kulturës Popullore.

Në dokumentar u shfaqen disa personazhe si përfaqësues të kësaj trashëgimie shpirtërore. Si janë përzgjedhur këngët, vallet dhe personazhet që marrin pjesë në këtë dokumentar, si më përfaqësueset?

Janë ata që kanë bërë historinë e kësaj fushe. Me pak fjalë, dua të them se nuk janë emra që mund t’i kem përzgjedhur vetëm unë, por janë ato subjekte të përfshira nga vetë rëndësia e tyre. Konkretisht mund të përmendim Usta Laver Bariu, i cili është mjeshtri i sazeve të Përmetit, është këngëtari historik i Iso Polifonisë të grupit të pleqve të Gjirokastrës, Xhevat Avdalli, grupi i Lunxhit, si dhe disa këngëtarë nga grupet e Vlorës, janë grupe të tjera të Iso-Polifonisë, kryesisht të Tepelenës, por ka edhe këngëtarë më koherentë siç është grupi i të rinjve të Gjirokastrës. Kështu që janë një seri grupesh, të cilët në këtë kuptim, Iso Polifonia tek ata ka gjetur nivelet më të larta të interpretimit.

Përveçse një muzikë në këtë dokumentar, çfarë përfaqëson tjetër Iso Polifonia?

Iso Polifonia është kulturë. Muzika është vetëm forma e saj e shfaqjes për njerëzit, sepse kënga ka lidhje me mjedisin ku lind, në trajtën tradicionale, apo natyror qoftë ai, ka lidhje me veshjet, zejet dhe traditat, por ka lidhje edhe me ushqimin e këtyre njerëzve. Pra, në një lloj kuptimi Iso Polifonia ka formatin e saj të shfaqur në muzikë, por në fakt është pasqyrimi i një kulture të tërë jetese.

Shohim një barometër brezash, nga më të vjetrit, deri në një plejadë tjetër të këngëtarëve të Isos. Si është depërtuar kjo lloj kulture nga gjeneratat e reja?

Në fakt, këtu qëndron edhe problemi ku ne po insistojmë për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore. Ditën kur u organizua edhe workshop-i u vu re që një pjesë e mirë e pjesëmarrësve ishin edhe të rinjtë, maturantë të cilët ishin informuar përmes medias në lidhje me këtë seminar. Ata kishin ardhur pikërisht për faktin se sot realiteti folklorik çdo ditë e më tepër është duke u zhbërë, pra nuk ka më aktivitete aq publike dhe aq popullore sa më përpara. Edhe pse ka disa evente që organizohen, ato sërish nuk plotësojnë një jetë reale. Sot vetëm në rastet e ceremonive martesore kemi mundësinë që të shijojmë pjesën e traditës, sepse rregullat janë prishur dhe ekzistenca e saj po zhduket, me përjashtim të disa zonave. Kështu që katalogimi i shërben më së miri kësaj çështjeje, jo vetëm ruajtjes së arkivit në format digjital, por në mënyrë të veçantë aksesit të të rinjve. Pikërisht në këtë pikë, një rol shumë të rëndësishëm luan edhe shkolla. Lënda dhe programet e edukimit muzikor, kryesisht në shkollat 9-vjeçare, të cilat duhet të përfshijnë më mirë dhe plotësisht kulturën tonë nga Veriu në Jug të vendit.

Arritët në një workshop për të sensibilizuar për procesin e katalogimit të kësaj trashëgimie. A mund të na thoni çfarë po ndodh me të këtë proces?

Ky është i pari workshop në seri. Aktualisht jemi në përpjekje për digjitalizimin e arkivit të institutit. Gjithashtu edhe krijimi i database-t të Iso Polifonisë është një tjetër çështje në proces zbatimi, e cila është një përpjekje private individuale (e imja bashkë me disa kolegë të tjerë), dhe qëllimi kryesor është që trashëgimia shpirtërore dhe Iso Polifonia si kryevepër e kësaj fushe duhet që të kartelizohet dhe digjitalizohet nga institucionet tona shtetërore, pikërisht aty ku është edhe database qendror i trashëgimisë, pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit. Ata janë shumë të hapur dhe gjenden përpara përgjegjësisë se kartelat e digjitalizimit të trashëgimisë shpirtërore, siç mund të jenë valle, këngë, instrumente, por mund të jetë edhe përrallë, duhet që të formatohen në mënyrë të tillë që ta parashikojë gjithë këtë shumëllojshmëri që ka trashëgimia jonë. Jemi në hapat e para, por nuk jemi as të vonuar.

A është e thjeshtë sot të përcaktohen niveli i kësaj trashëgimie, vlera e tyre që i bën unikale? Cili është apeli juaj nëpërmjet këtij procesi katalogimi?

Detyrimi qendror i shtetit është që të ketë një vëmendje të veçantë karshi atyre, që do të shpallen kryevepra të trashëgimisë shpirtërore, arkivi do të kartelizohet sepse e ka për detyrë ta bëjë një gjë të tillë. Pra, me pak fjalë shteti duhet të shpallë listën e kryeveprave tona, sepse ne kemi katër mijë monumente të trashëgimisë materiale, por ende nuk kemi një listë me përmbajtje të kryeveprave shpirtërore. Dua të them se nuk ka vetëm monumente kulture, s’ka vetëm kala, kisha, xhami, teqe, me statusin monument, por duhet të ketë edhe monumente shpirtërore, siç mund të jetë lahuta, eposi i Kreshnikëve, kabaja, apo vegla të ndryshme muzikore etj. Fillimisht këto duhet të shpallen dhe më pas të kartelizohen të gjitha veçoritë e tyre sipas standardeve.

Ndërkohë që e drejta e autorit si po respektohet?

Në fakt, këto arkiva do të jenë shtetërore dhe nuk do të ketë të bëjë me qëllime tregtare të botimit. Nëse dikush do të interesohet, duhet ta citojë dhe ta transmetojë burimin. Ndërsa e drejta e autorit është në këtë pikë, që nëse marrim një material nga këngëtari Laver Bariu duhet të kemi parasysh faktin se ligji i të drejtave të autorit parashikon që muzikantët popullorë kanë ato që njihen si të drejta fqinje, jo të drejtat e autorit bazë, të krijuesit, por të atij që e interpreton. Pra në këtë rast, katalogimi u shërben edhe të gjithë atyre, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në interpretimin e kësaj kulture, duke u njohur të paktën për këtë meritë. Për këtë doja të shtoja se duhet të kemi politika më agresive për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë, dhe së dyti të bëhet një përpjekje maksimale që kjo kulturë, ashtu siç u përpoqëm modesisht në këtë workshop, të transmetohet edhe tek brezat e rinj, pasi në të kundërt asgjë nuk do të ketë kuptim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›