Informalitet në shëndetësi, regjistrohen vetëm 11% e vizitave
Vetëm 11 për qind e vizitave ambulatore që kryhen në QSUT raportohen në regjistrat e spitalit. Mjekët e kësaj qendre spitalore fshehin vizitat, duke deklaruar një numër tejet të vogël në krahasim me numrin real. Dje, në analizën vjetore të punës në QSUT, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka deklaruar se sipas të dhënave, 797 359 është numri i vizitave në total prej të cilave vetëm 90 626 janë të mandatuara.
Vizitat
Fluksi i lartë i pacientëve dhe rastet e shumta që priten çdo ditë në pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dokumentohen vetëm pjesërisht. Pjesës më të madhe të konsultave ambulatore mjekët nuk u presin faturë. Nga viti në vit bluzat e bardha në këtë qendër kanë “mbjellë” ilegalitetin, duke nxjerrë përftime vetjake.
Kjo është bërë prezente edhe nga ministrja Godo. Ajo është shprehur: “Një shifër që duhet të na ulë kokën është fakti i numrit të madh të konsultave, nga ana tjetër i vogël i atyre të dokumentuara me mandat. Në këtë qendër vitin e kaluar janë vizituar në 797 359 në total, prej të cilave 90 626 të mandatuara”.
Analiza
Më tej analiza ka vijuar me reformën spitalore. Sipas saj: “Kjo reformë përmban decentralizimin e buxheteve, por dhe të përgjegjësive, kompetencave, gjë që do të thotë më shumë punë, por edhe aftësi për të vetëvendosur për prioritetet dhe për atë çka nuk duhet të mos mungojë në QSUT".
Ministrja Godo vuri në dukje se buxheti i shëndetësisë është rritur nga vit në vit dhe nga rreth 18 miliardë lekë në 2005-ën, këtë vit ka arritur në rreth 25 miliardë lekë. Duke vlerësuar se "edhe pse ka rritje të vazhdueshme të buxhetit, përsëri nuk është në nivelin që duam", ajo pohoi: "Dy janë rrugët për t’i bërë ballë këtij buxheti: të dimë të jemi sa më tërheqës për donatorët, të gjejmë partnerë për të plotësuar boshllëqet, si dhe të dimë të menaxhojmë buxhetin".
Rrethet
Duke u ndalur në numrin e madh të rasteve të ardhura nga rrethet, znj. Godo vuri në dukje se në këtë drejtim duhet të fuqizohen spitalet rajonale, që janë pjesë e reformës spitalore, si dhe të minimizohen rastet kur pacientët kanë nevojë t'i drejtohen QSUT-së, pasi, sipas të dhënave, aktiviteti në QSUT në 50 për qind të rasteve përbëhet nga raste nga rrethet. Pjesa më e madhe e tyre vijnë për të kryer operacione të thjeshta siç është apendiciti.
"Pamë një numër të madh hernie dhe apendicite, që mund të bëhen dhe në spitale të tjera", - tha ajo, duke shtuar se vetë shefat e shërbimeve duhet t'u shpjegojnë pacientëve se kjo bëhet me të njëjtën cilësi dhe në spitale të tjera.
Reforma, USAID-MSH: Specializim për të gjithë mjekët e familjes
Të gjithë mjekët e shërbimit parësor në vend do t’i nënshtrohen reformës së Ministrisë së Shëndetësisë, përmes së cilës synohet përmirësimi i kujdesit shëndetësor ndaj qytetarëve. Për këtë janë hartuar dy dokumente bazë: "Korniza e zhvillimit të Mjekësisë së Familjes" dhe "Paketa Bazë e Shërbimeve në Kujdesin Shëndetësor Parësor". Në dokumentin e parë përcaktohen qartë shërbimet bazë të qendrave të shërbimit shëndetësor parësor, ndërsa në paketën e dytë përfshihen programet e specializimit në mjekësinë e familjes si dhe programet e edukimit në vazhdim për të gjithë mjekët praktikues.
Ministria e Shëndetësisë me asistencë të USAID-it ka hartuar të dy dokumentet bazë, në bashkëpunimin me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Fakultetin e Mjekësisë, nën konsultim të vazhdueshëm me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe drejtorja e misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoni evidentuan përparimet e arritura në procesin e reformimit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri. Banorëve të zonave urbane dhe rurale do t’u ofrohen edhe disa shërbime të kujdesit shëndetësor mendor dhe të shëndetit riprodhues, krahas informacionit të vazhdueshëm për sjellje dhe mënyra të jetës së shëndetshme. Në bazë të dokumenteve parashikohet që mjekët e qendrave shëndetësore të kujdesit parësor të trajnohen sipas programit bazë të mjekësisë së familjes, i cili do të mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, pasi parashikohen specializime për mjekun e familjes, programet e edukimit për të gjithë mjekët. Me mbështetjen e programeve të USAID-it, deri tani janë trajnuar mbi 650 mjekë përmes programit të mjekësisë së familjes, ndërsa në muajt në vijim, pritet të rregullohet certifikimi formal i këtij procesi.