Tirana në rrethim, dhjetëra shoqërime në polici
Forcat Speciale ‘blindojnë’ Tiranën si kundërpërgjigje ndaj akteve të fundit kriminale. Dhjetëra të rinj janë shoqëruar në mjediset e policisë, ndërsa “vala” e kontrolleve ka çuar në pranga dy të rinj, të cilët akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe vjedhjen e një “Ferrari”. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka angazhuar dje të gjithë efektivët e saj dhe në patrullimin e kontrollet e ushtruara kanë marrë pjesë edhe efektivë të FNSH-së, si dhe forcat speciale RENEA. Zyrtarisht, policia e Tiranës ka deklaruar se aksioni i pazakontë që ka “blinduar” kryeqytetin është ndërmarrë në kuadër të një fushate për kapjen e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Ditën e djeshme, policia ka mundur të arrestojë në flagrancë vetëm një person, të cilit iu gjet një pistoletë në automjet ndërsa ishte duke udhëtuar në zonën e Vaqarrit. Elidon Markvataj me origjinë nga Tropoja, është arrestuar gjatë kontrollit blic të policisë, pasi në kroskotin e automjetit të tij u gjet një pistoletë dhe dy krehra fishekësh. Aksionet e policisë së kryeqytetit kanë vazhduar dhe në disa lagje, ku me dhjetëra djem të rinj janë shoqëruar në polici për t’u verifikuar. Burime të rezervuara policore janë shprehur dje për MAPO-n se, për disa nga të shoqëruarit ka informacione se janë “lidhje shoqërore” të personazheve të spikatur të botës së krimit në kryeqytet. Megjithatë, shoqërimi i tyre ka konsistuar thjesht në verifikimin e gjeneraliteteve të tyre dhe më pas janë lënë të lirë. Burime nga policia bëjnë të ditur se dhjetëra forca janë shpërndarë në akset kryesore të Tiranës, ku kanë ushtruar kontrolle mbi çdo element të dyshuar. Të pyetur për operacionin e djeshëm, zyrtarë të policisë thanë se kontrollet kanë si qëllim parandalimin e krimit në Tiranë dhe arrestimin e personave të kërkuar nga drejtësia.