E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, gjykata rrëzon kërkesat e të pandehurve

Avokatët e të pandehurve kishin kërkuar dëshmitë e 6 ekspertëve amerikanë dhe përsëritjen e ekspertizës për dëmet ekonomike

Tiranë Gjykata e Tiranës ka rrëzuar dje disa nga kërkesat e të pandehurve të të akuzuarve që synonin ripërsëritjen e disa akt-ekspertimeve të rëndësishme të prokurorisë në procesin “Gërdeci”. Dy seanca më parë, një prej avokatëve mbrojtës kërkoi nga gjykata të thirren si dëshmitarë në këtë proces gjyqësor 6 ekspertët amerikanë që kanë kryer ekspertizën tekniko-ushtarake për përcaktimin e shkakut të shpërthimit që shkaktoi tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008. Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar të rikryhej edhe një herë ekspertimi ekonomiko-financiar, i cili përcakton dëmin ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit pas anashkalimit të procedurave ligjore nga ana e zyrtarëve të ministrisë dhe ndërmarrjes shtetërore “Meico”. Kërkesa e fundit e mbrojtjes kishte të bënte me kryerjen e një eksperimenti hetimor që do kishte si qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit të 15 marsit 2008. Mbrojtja kërkoi nga gjykata, që ekspertët të kryenin eksperimentin hetimor duke u bazuar në raportin e ekspertëve të ATF-së, të cilët nxorën si shkakun më të mundshëm të shpërthimit saldimin e një karroce, e cila ka marrë flakë sapo ka rënë në kontakt me barutin e përfituar nga demontimi i predhave. Por të gjitha këto kërkesa janë rrëzuar dje nga Gjykata, e cila argumentoi se këto çështje tashmë i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Pas vendimit të gjykatës, seanca e djeshme vijoi për pak minuta me dëgjimin e disa kërkesave nga ana e avokatëve të të pandehurve për t’u shtyrë më pas në fillim të javës së ardhshme. Procesi gjyqësor ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit tashmë ndodhet në fazën e shqyrtimit të provave të fundit shkresore të paraqitura nga prokuroria. Menjëherë pas përfundimit të tyre, gjykata do të administrojë në proces provat e avokatëve mbrojtës, të cilët fillimisht kërkuan thirrjen si dëshmitarë të të paktën dy ish-ministrave, por më pas u tërhoqën nga kjo kërkesë. 29 të pandehurit akuzohen nga prokuroria si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›