Videoja me Priftin, Meta kërkon pavlefshmëri të hetimit

Hetimet e kryera nga data 12 prill deri në 9 maj 2011 janë të pavlefshme pasi janë kryer jashtë afateve, sepse Ilir Meta ka pasur imunitet. Kjo është një nga kërkesat e avokatit Petrit Serjani në seancën e parë në gjyqin ndaj Ilir Metës të zhvilluar në Gjykatën e Lartë me akuzën e shpërdorimit të detyrës për video përgjimin Meta-Prifti. Petrit Serjani, i cili mbron interesat e ish zv.kryeministrit Meta ka lexuar kërkesat paraprake para kolegjit penal të Gjykatës së Lartë. Sipas avokatit prokuroria ka hetuar ndaj një personi i cili ishte me imunitet, sepse parlamenti ka votuar për heqjen e tij në datën 16 shkurt 2011 dhe nga kjo datë e në vazhdim organi i akuzës kishte të drejtë të hetonte. Ndër të tjera mbrojtësi i Metës ka pohuar se caktimi i tre ekspertëve të huaj atyre të SHBA dhe Britanisë së Madhe është i paligjshëm, pasi jo vetëm që nuk është marrë mendimi i tyre por edhe se sipas ligjit në fuqi ekspertët duhet të caktohen në listën e miratuar që e ka edhe prokuroria. Madje këta ekspertë nuk japin garanci pasi prokuroria nuk i ka përfshirë në hetim nëse rezulton se ekspertimi i tyre për video-përgjimin është i rremë, për ta nuk mund të nis procedim penal. Duke vazhduar me tej me kërkesat e tij avokati Serjani ka pohuar oficerët e policisë gjyqësore të cilët kanë bërë transkiptimin e video-përgjimit nuk janë të specializuar dhe nuk kanë njohur përkatëse për të kryer këtë veprim. Serjani para kolegjit penal ka pohuar se e gjithë kjo video-përgjim është për të denigruar figurën e Ilir Metës, zbardhja e bisedës ka karakter politik, hetimet e prokurorisë janë të njëanshme, dhe provat e sjella nga Dritan Prifti nuk duhet të merren parasysh se edhe vetë ai është i akuzuar. Nëse do të ishte me interes për të denoncuar fenomenin, ish ministri i ekonomisë mund ta dërgonte videon në prokurori dhe jo në një televizion. Pas leximit të kërkesave paraprake të avokatit, prokurori Bujar Sheshi ka kërkuar një javË kohë për tu mbrojtur. Seanca gjyqësore e dytë është lënë nga relatori Adrian Dvorani në datën 27 qershor ku akuza do të jap argumentet e saj në lidhje me hetimin që ka bërë per vidon Meta- Prifti.