E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen me thyerje zyrat e Ambasadës Daneze

Policia nisi hetimin për ngjarjen ndërsa selia diplomatike mbylli dje dyert përkohësisht

TIRANË- Vidhen me thyerje zyrat e Ambasadës Daneze në Tiranë, autorët ende të paidentifikuar kanë mundur të marrin nga zyra së paku një kompjuter. Policia tha dje pas ngjarjes se dyshohej se mund të ishte vjedhur një kompjuter, dhe se po punonte për të zbardhur ngjarjen.


Ndërkaq, menjëherë pas ngjarjes ambasada e Danimarkës në vendin tonë, në një komunikim zyrtar të saj për shtyp njoftoi mbylljen e saj në mënyrë të përkohshme pikërisht për shkak të kësaj ngjarjeje.


Mbyllja e zyrave të ambasadës është bërë publike nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ku thuhet se në zyrat e saj është konstatuar vjedhja. Në lidhje me ngjarjen, policia dhe selia e shtetit nordik, nuk kanë dhënë detaje të tjera rreth ngjarjes së mësipërme.


Burime të rezervuara nga Policia e Tiranës, pohuan dje se dyshohet se është vjedhur vetëm një kompjuter, por nuk dihet akoma me saktësi se çfarë ka pasur të ruajtur brenda tij, ngjarje kjo e ndodhur dje në orët e paradites.


Nga burime të policisë mësohet se zyrtarët e Ambasadës Daneze në Tiranë, e cila ndodhet në Rrugën "Nikolla Lena, pasi kanë parë që në zyrat e tyre nuk ndodhej një kompjuter, kanë kryer edhe një denoncim në polici. Lidhur me këtë ngjarje, policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për të zbuluar nëse ka sende të tjera të vjedhura në ambientet e selisë diplomatike.


Nga informacionet paraprake në lidhje me ngjarjen, mësohet se akoma nuk ka persona të identifikuar për vjedhjen në Ambasadën Daneze. Në një njoftim për shtyp të shpërndarë nga përfaqësia diplomatike daneze në vendin tonë, nuk është dhënë asnjë informacion për sendet që mund të jenë vjedhur apo dhe për fillimin e punës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›