E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e Kroaci, në kryqëzim të rrugës së grupeve kriminale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kroate kërkoi bashkëpunim mes vendeve të rajonit

SHKODËR - "Shqipëria e Kroacia janë në kryqëzim të rrugës që ndjekin grupet kriminale për trafiqe të ndryshme e veprimtari të kundraligjshme, ndaj është e domosdoshme që të kemi informacion të shpeshtë për të luftuar bashkarisht këto veprimtari kriminale.


Nëse ju them se një.................................................... kilogram marihuanë e presuar në tregun shqiptar kushton 50 euro, në tregun kroat kushton 1500 euro e më lart, do të kuptoni se sa i madh është fitimi i trafikantëve vetëm nga kjo lëndë.


E njëjta është edhe për trafikimin e qenieve njerëzore". Kështu është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kroacisë, Oliver Gerbiq, gjatë një vizite që ka zhvilluar të premten në qytetin e Shkodrës.


Ai ka shtuar se "si drejtor i policisë së shtetit kroat më intereson që në muajt në vazhdim këtë bashkëpunim ta forcojmë jo vetëm me Shqipërinë, por me gjithë vendet e rajonit. Besoj se ky bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, me kontaktet e përfaqësuesve të policisë së shteteve mund të japë frytet e veta. Kur flasim për krimin e organizuar, është në radhë të parë lufta kundër tij.


Dhe trafiku i qenieve njerëzore, drogës dhe armëve, ka një lidhje të ngushtë me krimin e organizuar. Është e ditur se Kroacia dhe Shqipëria ndodhen në udhëkalim për në Evropë, nëpër rrugën e ashtuquajtur Rruga Ballkanike.


Duke qenë se Shqipëria ndodhet në jug të kësaj udhe, së bashku me Turqinë dhe një pjesë të Maqedonisë, janë pikat e distribuimit me qëllim kalimin e tyre në vendet e Bashkimit Evropian" u shpreh Gerbiq. Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar në nivel lokal është që në fillim e dënuar të shkatërrohet, ndaj bashkëpunim është i nevojshëm.


Lidhur me vrasjen e Ivo Pukaniqit, kryeredaktorit të revistës "Nacional", drejtuesi më i lartë i policisë kroate është shprehur se vrasja e Pukaniqit dhe bashkëpunëtorit të tij më të mirë Franiqit, ka treguar se segmente të krimit të organizuar të cilët kryejnë krime të rënda duhen parë jo vetëm në disa shtete por edhe në shtetet tjera, sepse rrjeti është i shtrirë në gjithë rajonin.


"Por tashmë çdo gjë është në dorën e prokurorisë së përgjithshme, e cila ka gati fletë-arrestet për të dyshuarit kryesorë të kësaj ngjarjeje për të cilën unë nuk mund të komentoj më gjatë", përfundoi Gerbiq.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›