Moti i keq, një i vdekur në Fier, Vlora në errësirë, Shkodra "nën" ujë
Në portin e Vlorës është paralizuar lëvizja e udhëtarëve të linjës së trageteve Brindizi-Vlorë
Pothuajse i gjithë qyteti i Vlorës prej mesnatës deri pasditen e së premtes ka qenë i zhytur në erresirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike nga defektet që ka shkaktuar moti i keq.
Pa energji elektrike, ashtu siç tashmë janë mësuar vlonjatët, kanë ngelur pompat e ujësjellësit, spitali, si dhe shumica e lagjeve 28, "29 Nëntori", Uji i Ftohtë, lagjja "10 Korriku" etj. Spitali dje është furnizuar me ujë të pijshëm nëpërmjet dy boteve të zjarrfikësve.
Në disa lagje deri në orët e vona ende nuk ishte rikthyer energjia elektrike, por burime nga OSSH-ja u shprehën se po bënin të pamundurën për të riparuar dëmet që ka shkaktuar furtuna. Pa energji elektrike prej dy ditësh ka ngelur edhe zona e Zvërnecit ku janë të instaluara antenat e televizioneve kombëtare e lokale, duke e paralizuar qytetin nga çdo lloj informacioni.
Një erë e madhe e cila ka përfshirë tërë qytetin e Vlorës që prej mesnatës së djeshme ka paralizuar lëvizjen e udhëtarëve me tragetet e linjës Brindizi-Vlorë e anasjelltas. Për shkak të këtij moti të keq të dy tragetet që operojnë në këtë linjë nuk kanë udhëtuar nga Brindizi për në portin e Vlorës.
Sipas burimeve nga kapiteneria mendohet se kanë qenë rreth 245 pasagjerë në të dy tragetet, si dhe mbi 20 kamionë të shoqërive të ndryshme të cilët kanë qenë të ankoruar, por për shkak të motit të keq nuk janë lejuar të udhëtojnë.
Mësohet se gjatë ditës së djeshme, fuqia e detit brenda gjirit të Vlorës ka qenë 5-6 ballë, kurse jashtë saj 7-8 ballë. Si rrjedhojë, kapiteneria ka urdhëruar nxjerrjen e anijeve që po përpunoheshin në portin e Vlorës, të cilat kanë pezulluar punën dhe kanë dalë në gji për të mos pasur ndonjë incident.
Gjendja në port ka vijuar e tillë përgjatë gjithë ditës së premte, ndërsa shefi i kapitenerisë së portit të Vlorës, Anastas Goga, shprehet se kjo situatë parashikohet të zgjasë tri ditë.
Shkodër
Reshjet e shiut kanë përmbytur rreth 200 hektarë tokë në komunën e Velipojës. Mosfunksionimi normal i dy hidrovoreve të kësaj zone ka bërë që uji të përmbytë tokën bujqësore.
Sipas specialistëve të kësaj komune, problemi i përmbytjeve nuk qëndron vetëm në mosfunksionimin e plotë të hidrovoreve, por lidhet kryesisht me mospastrimin e kanaleve kulluese të cilat, kur ka reshje të shumta, krijojnë probleme për tokat bujqësore.
Si pasojë e reshjeve ka pasur dëme dhe përmbytje të disa tokave në fshatrat Reç dhe Luarzë të komunës së Velipojës, por dhe në afërsi të fshatit Trush. Dëmet konsiderohen të mëdha, pasi një pjesë e tokave të përmbytura kanë qenë të mbjella me ushqim për bagëtitë dhe me grurë.
Lidhur me pastrimin e kanaleve kulluese, drejtues të komunës Velipojë bëjnë të ditur se i kanë dërguar prej kohësh kërkesat për ndërhyrje tek bordi i kullimit, por kjo nuk ka ndodhur. Ndërsa sipas drejtuesve të këtij institucioni, pastrimi i kanaleve kulluese ka një afat 5-vjeçar dhe bëhet periodikisht pas kalimit të këtij afati.
Për komunën e Velipojës, sipas tyre, ky afat nuk ka mbaruar. Me fillimin e stinës së shirave janë fermerët ata që përballen me shfaqjen e problemeve që lidhen me kanalet kulluese. Sipas tyre, ndërsa drejtuesit vendorë thonë se kanë bërë kërkesa për të ndërhyrë, bordi i kullimit tregohet indiferent dhe pasojat bien mbi ekonominë e fermerëve.
Era e fortë, një 53-vjeçar ndërron jetë
Një 53-vjeçar i quajtur Sotir Çobani ka gjetur vdekjen mesditën e së premtes. Ngjarja aksidentale ka qenë pasojë e erërave të forta që përfshiu zonën e Fierit gjatë ditës së djeshme.
Si rrjedhojë, 53-vjeçari i cili punonte si murator në një ndërtesë trekatëshe në qendër të fshatit Bishan, ka humbur ekuilibrin dhe nga kati i dytë ka rënë sipër kangjellave të portës së jashtme. Sipër tij kanë rënë dhe një masë tullash, pjesë mbrojtëse e ballkonit të katit të dytë.
Me gjithë ndihmën e menjëhershme të dhënë, Çobani ka ndërruar jetë pa mbërritur në spital për shkak të plagëve të rënda dhe hemorragjisë së shkaktuar nga hekurat e ngulur në trup.