E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomistët morën rreth 300 mijë euro rimbursim TVSH-je

Prokuroria pret përfundimin e aktete kontabël për të përcaktuar vlerën e saktë të dëmit dhe përfitimit


TIRANË- Ekspertët kontabël që tashmë janë vënë në ndjekje penale, me ndihmën e faturave të falsifikuara të kompanive fantazmë, kanë përfituar nga rimbursimi i TVSH-së një shumë prej afërsisht 300 mijë euro.


Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë njësisë së task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit, të cilët konfirmuan se kjo shumë e përafërt është nxjerrë nga detyrimet tatimore që dy kompanitë fantazmë të regjistruara në Elbasan kanë ndaj shtetit.


Ndërkohë, po këto burime konfirmuan se në ditët në vazhdim do të kryhet një akt-ekspertim kontabël i shumës së saktë të përfituar dhe të dëmit të shkaktuar ndaj shtetit. Me përfundimin e këtij akt-ekspertimi, pritet të dalë edhe shuma, të cilën në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë përfituar ekonomistët e proceduar penalisht tashmë.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se shtatë të dyshuarit, pesë prej të cilëve janë ekzekutuar edhe vendimet e masave të arrestit ndërsa dy prej tyre ndodhen jashtë territorit shqiptar, janë vëzhguar e hetuar që nga fillimi i vitit 2007.


Ndaj tyre është regjistruar procedimi penal me dyshimin e konsumimit të akuzave të "falsifikim të vulave stampave ose formularë"; "vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën" dhe "falsifikimit të dokumenteve". Të gjitha këto vepra penale, sipas organit të akuzës, janë të kryera në bashkëpunim me njëri-tjetrin.


Disa ditë më parë, policia ekzekutoi masat e sigurisë të vendosua nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndaj të dyshuarve: Shkëlqim Sako, Klodiana Çela, Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla dhe Nevila Bami. Kjo e fundit në zgjedhjet e fundit për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, ishte kandidate për deputete në qarkun e Fierit. Bami përfaqësonte Partinë Demokratike dhe ishte e parafundit në listën e deputetëve të demokratëve.


Ndërsa, kanë mbetur pa u ekzekutuar masat e sigurisë dhënë në mungesë me "arrest shtëpie" ndaj Brunilda (Krasniqi) Trebickës, e veja e të ndjerit Kosta Trebicka. Ky i fundit u bë i njohur pasi denoncoi në media skandalin e trafikut të fishekëve të kryer nga Ministria e Mbrojtjes, dhe një emigrant i cili ndodhet në Greqi me punë, por, që figuronte si administratori i kompanive fantazmë në Elbasan.


Sipas akuzës, të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me anë të faturave të falsifikuara i faturonin shuma të ndryshme parash kompanive fantazmë, sikur kryenin veprime për llogari të kompanive që ata i mbanin bilancet, të cilat në fund të çdo viti përfitonin shuma të ndryshme parash nga rimbursimi i TVSH-së.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›