E Shtunë, 31 Tetor 2026

KIPRED edukon votuesit e rinj

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) prezantoi sot projektin Votuesit e së Ardhmes, i cili thuhet se ka për qëllim avancimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Krenar Gashi, drejtor i hulumtimeve të veçanta në KIPRED, tha në një konferencë me gazetarë, se pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në zgjedhje është në rënie të vazhdueshme, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2000.

Pikërisht për këtë kemi zgjedhur që të punojmë me votuesit e së ardhmes, nxënësit e moshave mes 12 dhe 17 vjeç, në mënyrë që ti edukojmë ata për rëndësinë e zgjedhjeve si proces fondamental i demokracisë. Në këtë projekt, votuesve të së ardhmes u sqarohet rëndësia e zgjedhjeve dhe rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, ka thënë Gashi.

Planprogrami është miratuar nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji (MASHT).

Erëmirë Berisha, një përfaqësuese tjetër e projektit, sqaroi se KIPRED fillimisht ka trajnuar rreth 60 mësimdhënës në 60 shkolla në Prishtinë dhe Gjilan, të cilët më pas u kanë ligjëruar nxënësve të tyre katër njësi mësimore.

Ligjërata e parë që thirret Fito Votën ka të bëjë me të drejtat dhe përgjegjësitë e votuesit. E dyta, thirret Diskuto për votën, e treta Vëzhgimi i votës dhe e katërta Para votimit, ku krahasohen kandidatët dhe programet politike. Pos kësaj, Instituti KIPRED, mbanë edhe dy trajnime të tjera, drejtpërdrejt me nxënës, që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve dhe me vet procesin e votimit, ka thënë Berisha.

Aktivitetet e radhës të projektit Votuesit e së Ardhmes janë dy debate elektorale, ku kandidatët për kryetarë të komunave të Prishtinës dhe Gjilanit do të takojnë nxënësit e këtyre moshave dhe do tu përgjigjen pyetjeve të tyre.

Debati i parë mbahet në sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, të dielën, me 25 tetor, me fillim prej orës 10. Kurse debati i Prishtinës mbahet të dielën tjetër, me 1 nëntor, në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, po ashtu me fillim prej orës 10.

Votuesit e së Ardhmes mbështetet nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve dhe Universiteti Shtetëror i Arizonas, kurse partnerë lokalë janë MASHT-i dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›