Vidhen pesë makina në parkingjet e pallateve
TIRANE – Vjedhjet e makinave rikthehen si një problem shqetësues për banorët që parkojnë mjetet e tyre në parkingjet e pallateve, por edhe për forcat e Policisë së Tiranës. Gjatë natës, duke gdhirë dita e djeshme, në tri zona të ndryshme të kryeqytetit janë vjedhur 5 automjete dhe një motor, të parkuar në parkingjet, që ndodhen në bodrumet e pallateve. Vjedhjet janë kryer në pallatet ku nuk është vendosur ende dera e parkingut dhe në rastet kur ka derë autorët kanë grabitur gomat, pasqyrat, kasetofonët dhe pjesë të tjera automjetesh. Burime nga Policia thanë se ngjarjet kanë ndodhur në zonën e “Freskut”, rrugës “Hoxha Tahsim” dhe të “Bërrylit”. Në orët e para të mëngjesit banorët e pallateve, të cilëve u kishin vjedhur makinat, janë drejtuar për të bërë denoncimet përkatëse në polici dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Nga ana tjetër, banorët ankohen që ngjarje të tilla ndodhin pothuajse çdo ditë në zonat ku ata banojnë, por vetëm disa prej të dëmtuarve denoncojnë vjedhjet, duke treguar në këtë formë se numri i makinave dhe motorëve që vidhen është edhe më i madh. Gjithashtu, banorët kanë shpjeguar në polici se paguajnë para për rojën e pallatit, në mënyrë që mjetet dhe shtëpitë e tyre të jenë të sigurta, por realisht nuk kanë asnjë lloj mbrojtjeje. Nga denoncimet e kryera në Polici, rezulton se janë vjedhur katër makina, ndërsa të pestës, një “Mercedes C Clas”, i kanë vjedhur gomat, pasqyrën dhe kasetofonin, në parkingun e një pallati tek “Fresku”. Në të njëjtin vend, persona ende të panjohur kanë vjedhur edhe një motor, të parkuar në oborrin e pallatit.