E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet komuna e Prezës

Autori marrin nga zyra e kryekomunarit, vulën dhe thyejnë zyrën e arkës

Tiranë- Vidhet me thyerje zyra e kryetarit të komunës Prezë të rrethit të Tiranës, si dhe ajo e arkëtares së kësaj komune. Policia nis hetimet ndërsa nuk bëhet e ditur sasia e mundshme e parave të vjedhura në të. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës duke u gdhirë dita e djeshme ndërsa policia ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në zyrat e komunës.


Nga këto veprime ekspertët e policisë kanë konstatuar se dera e kryetarit të Komunës si dhe ajo e arkëtares së kësaj njësie të qeverisjes vendore janë thyer. Në to autorët që dyshohet se kanë qenë së paku dy, kanë mundur të marrin një sasi parash. Ndërkaq policia nuk ka bërë të ditur sasinë e mundshme të parave të vjedhura, ndërsa burime të hetimit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një sasi parash jo shumë të madhe, por të konsiderushme.


Ndërkaq policia pas ngjarjes ka shoqëruar në ambientet e saj rreth 10 persona të cilët janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve. Policia ka marrë gjithashtu edhe dëshminë e kreut të komunës së Prezës, Ahmet Nurja, në lidhje me rrethanat e krimit dhe dijeninë e tij mbi të.


Pas marrjes së deklarimeve, këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe marrjes së gjurmëve të ndryshme të të dyshuarve, policia ka kaluar dosjen në prokurori. Ndërkaq gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes janë dërguar nga ekspertët për ekzaminime të mëtejshme dhe krahasim në Institutin e Policisë Shkencore.


Burimet pohojnë se disa prej gjurmëve janë të vlefshme, por se ato pritet të vlerësohen nga specialistët për të sjellë më pas një përgjigje në lidhje me përfundimin e krahasimit të tyre. ndërkaq nga veprimet e kryera, hetuesit e policisë kanë ngritur dyshimet e para lidhur me autorësinë e ngjarjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›