E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Kolegjit, KQZ certifikon zgjedhjet ne Berat

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ-ja certifikoi dje 8 mandatet e Qarkut të Beratit


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar dje mandatet edhe të tetë deputetëve të tjerë. Bëhet fjalë për 8 të zgjedhurit e qarkut të Beratit, 4 përfaqësues të Partisë Socialiste, 3 të Partisë Demokratike dhe 1 i Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Vendimi i një dite më parë i Kolegjit Zgjedhor, i cili rrëzoi pretendimet e PS-së dhe G99-ës për parregullsi në procesin e numërimit të votave në këtë qark, i ka hapur rrugë dje KQZ-së, që të miratojë së pari mandatet për secilin koalicion dhe më pas ato për secilën forcë. Pasi ka kryer këtë procedurë thuajse formale, ky komision ka miratuar vendimin për përcaktimin e emrave konkretë të cilët kanë fituar mandatin e deputetit.


Kështu, për Partinë Socialiste janë mandatar deputetë Erion Braçe, Marko Bello, Fidel Ylli dhe Ermonela Velaj, ndërsa për Partinë Demokratike, Genc Pollo, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi. Një mandat ka mundur ta sigurojë edhe Nasip Naço në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Në këtë qark koalicioni i drejtuar nga PS-ja arriti të marrë plot 44561 vota, ai i PD-së 27055 dhe ai i LSI-së vetëm 9259 vota. Pavarësisht një diference kaq të madhe votash, PS-ja nuk arriti të marrë mandatin e pestë të saj vetëm për rreth 450 vota.


Për këtë arsye, ajo kërkoi me ngulm në të gjitha shkallët e gjykimeve, që të rinumëroheshin votat e ZAZ-së numër 1 dhe të rinumëroheshin dhe rivlerësoheshin votat e pavlefshme në ZAZ-të 2 dhe 3, kërkesa të cilat nuk u morën parasysh as nga KQZ-ja dhe as nga Kolegji Zgjedhor.


Në këtë mënyrë, numri i deputetëve, që kanë marrë mandatin nga KQZ-ja ka mbërritur në 68, pasi më parë ky komision kishte certifikuar edhe 60 deputetë të tjerë. Berati është qarku i tetë ku KQZ-ja përfundon procesin e mandatimeve, pas Lezhës, Vlorës, Dibrës, Gjirokastrës, Kukësit, Korçës dhe Elbasanit.


Ndërkohë që sot, KQZ-ja pritet të mandatojë edhe 16 deputetët e Fierit dhe 13 të Durrësit. Ndërkohë që për qarqet e Tiranës dhe Shkodrës një proces i tillë pritet të ndodhë në një kohë më të vonë për shkak se për rezultatet e tyre, forcat politikë kanë pretendime të ndryshme mbi ligjshmërinë e tyre, duke i ankimuar në Kolegj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›