E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku Durrës, Kolegji Zgjedhor rrëzon konservatorët

Kolegji Zgjedhor rrëzon për 10 minuta kërkesën e Partisë Konservatore për pavlefshmëri


TIRANË- Kolegji Zgjedhor i ka dhënë fund dje edhe ëndrrës së Partisë Konservatore, për të fituar një deputet në qarkun e Durrësit. Megjithëse në tabelën përmbledhëse të rezultateve për këtë qark, Partia Konservatore rezulton me një numër thuajse të papërfillshëm votash, ajo nuk ka nguruar që të kërkojë drejtësi nga Kolegji Zgjedhor për të rinumëruar dhe rivlerësuar votat në një numë të konsiderueshëm qendrash votimi në 4 ZAZ-të e qarkut të Durrësit.


Në parashtrimin e kërkesës, avokati i kësaj force, duke folur në emër të kryetarit, Armando Ruço, ka sjellë në vëmendje të trupës gjykuese një sërë argumentesh, që, sipas tij, vërtetonin shkeljet dhe vjedhjen e votave në Durrës. Sipas tij, KZAZ-ja numër 11, ajo e Krujës nuk ka pranuar vëzhguesit e atashuar prej kësaj force dhe për rrjedhojë gjatë procesit të numërimit në GNV-të e saj janë vjedhur në mënyrë sistematike vota të Partisë Konservatore, duke ia kaluar ato forcave të tjera.


Gjithashtu edhe në ZAZ-të e tjera ku ajo ka pasur vëzhgues, ka ndodhur një fenomen i tillë, ku GNV-të dhe komisionerët e KZAZ-ve nuk kanë pranuar që të marrin parasysh vërejtjet e bëra prej tyre. Për rrjedhojë, ata kanë pretenduar se në mënyrë sistematike në të katër ZAZ-të, votat e saj i janë dhënë forcave të tjera, të cilat kishin anëtarë në GNV-të dhe KZAZ-të.


Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre ka qenë edhe ai që ka të bëjë me pamundësinë që ka pasur kjo forcë politike për të siguruar provat për të vërtetuar pretendimet e veta. Megjithatë ashtu si edhe në KQZ, Partia Konservatore nuk ka mundur që të paraqesë prova të qenësishme për të vërtetuar akuzat për vjedhje të votës. Në shumicën e rasteve kjo forcë i ka mbështetur pretendimet e veta në krahasimin, që ajo i ka bërë rezultateve të këtyre zgjedhjeve në këtë qark me zgjedhjet paraardhëse.


Por sipas palës së paditur KQZ-së, dhe palës së interesuar në këtë proces PD-së, kërkesa e kësaj partie është e pambështetur në prova, që mund të vërtetojnë vërtetësinë e pretendimeve. Duket se, këtë arsyetim ka përdorur edhe Kolegji Zgjedhor i cili për më pak se 10 minuta kohë ka vendosur rrëzimin e kërkesës si të pambështetur në ligj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›