E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet vula, goditet kreu i komisionit në Vlorë

VLORË - Fillimi i procesit të votimit e ka gjetur Vlorën në një situatë thuajse të qetë. Pas një fushate elektorale, e cila nuk mbarti situata të dukshme tensioni, edhe nisja e votimit është dukur e tillë, ndërkohë që problemet nuk kanë munguar në disa qendra, e pak më vonë, as reagimet politike për nisjen e manipulimeve. Sinjalizimi i parë për këtë është dhënë nga kreu i KZAZ 61, që i përket bashkisë Vlorë, Agron Gjipali. Gjipali tha se kishte tendenca të dukshme manipulimi. Mungesa e bojës, parregullsi në lista, mospërputhje të vulave që u përkisnin qendrave të votimit në disa prej tyre, kanë qenë elementë të cilët Gjipali i ka cilësuar si manipulime.

Shumë më ndryshe është shprehur për këtë nënkryetari i KZAZ për Vlorën, Adhurim Rrapaj, i cili tha se procesi ishte mëse normal, ndërkohë që mungesa e bojës për tu përdorur vulat ka qenë thjesht jo gabim i KZAZ të Vlorës, por i diktuar nga KQZ.

Nga të dhënat që janë marrë nga KZAZ, orari i votimit, i përcaktuar në orën 07:00, është shkelur nga rreth 25 qendra votimimi, kjo për arsye të mungesës së bojës. Shumë vonë ka nisur votimi në qendrën e vendosur në pallatin e sportit.

Pas celjes së qendrës së votimit, teksa anëtarët e komisionit kanë vendosur materialet, është parë më vonë se vula është vjedhur.

Kreu i KZAZ, Agron Gjipali ka akuzuar direkt për këtë kryetaren e komisionit, që është pikërisht motra e kreut demokrat të Vlorës. Procesi është zhbllokuar vetëm rreth orës 12.10, vetëm nga ndërhyrja e KQZ, ku është sjellë një vulë tjetër me helikopter nga Tirana.

Bllokim tjetër ka patur në qendrën e votimit të vendosur në pallatin e kulturës. Procesi i votimi është ndërprerë nga komisionerët, pasi sipas tyre ka patur probleme me listat. Bllokimi këtu ka zgjatur rreth 1orë e 40 minuta.

Rreth orës 12 heshtjen e ka thyer e para selia rozë, ku zëdhënësja e kësaj partie Evisja Allushi ka përcjellë shqetësimin e një incidenti të ndodhur në Tragjas. Sipas saj kunati i kryetarit të bashkisë së Orikumit, ka goditur kryetarin e komisionit, që është përfaqësues i PS. Ajo tha se shqetësim dhe kaos kanë krijuar vulat dhe boja që shërbejnë për të lyer gishtin.

Po me vonesë ka nisur procesi i votimit edhe në qendrën 4449, për shkak të mungesës së bazës materiale, votimi këtu ka nisur në ora 12.00. Bllokime të procesit janë shënuar në fshatrat Tragjas, Vranisht e Kuç, në këtë të fundit për shkak të të verbëve që nuk lejoheshin të votonin të shoqëruar, bllokime këto që janë kapërcyer.

Ende nuk ka deklarata zyrtare nga ana e selisë së PD, ndërkohë që kontaktuar me përfaqësues të kësaj force, konfirmohet se proccesi po ecën normalisht.



Më shumë nga Politika

Të gjitha ›