“Iluzion”, një tjetër takim i Luiz Ejllit me publikun
Këngëtari i njohur nga Shkodra, Luiz Ejlli, ka nxjerrë këto ditë në treg këngën e re “Iluzion”, një këngë e realizuar nga produksioni kosovar Pulla, i cili ka realizuar dhe videoklipin. Këngëtari, edhe pse i ri në moshë, ka tregues ambiciozë në karrierën artistike. Pas fitores së edicionit muzikon “ Ethet”, Ejlli ka fituar çmimin e parë me këngën “Sa e shite zemrën “ në Festivalin “Kënga magjike”. Luiz Ejlli e nisi karrierën artistike në programin “Ethet”, një program që zbuloi natë pas nate çdo të premte mbrëma talentin e djaloshit nga Shkodra, që në fund të këtij programi që ishte vënë në zbulim të talenteve të reja të muzikës ai arriti të renditej i dyti. Pas kësaj karriera e tij artistike pati vetëm ngjitje në kurbën e suksesit, ku në Festivalin e RTSH ai shpallet fitues me këngën “Zjarr e ftohtë”, këngë me të cilën prezantoi Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës në vitin 2006. Suksesi më i fundit i tij është çmimi i parë në Kënga Magjike, në një bashkëpunim me një tjetër përfaqësuese tonën në Festivalin Europian, Juliana Pashën. E për të mos humbur lidhjet me publikun, Luiz Ejlli ka nxjerrë së fundmi edhe këngën e re “Iluzion”, ku lë një tjetër takim me artdashësit shqiptarë.