Arrestohet një i kërkuar për kultivim hashashi
Korçë- Policia juglindore vë në pranga një të kërkuar për kultivim të bimëve narkotike. Aleks Bejdollari, 27 vjeç, banor i fshatit Zerec në komunën e Moglicës në Korçë, është prangosur rreth orës 6.00 të mëngjesit të të enjtes në afërsi të banesës së tij. 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim prej katër muajsh, ndërsa mendohej se fshihej në shtetin grek, kanë bërë të ditura për gazetën “Mapo” burime të policisë vendore. Pas informacioneve të policisë për kthimin e tij në shtëpi, është organizuar operacioni i koduar “Bryma”, në të cilin ka përfunduar në pranga shtetasi i lartpërmendur. Në muajin korrik të këtij viti i riu në bashkëpunim dhe me një tjetër person kultivonte bimë narkotike. Ai kishte mbjellë në tokën e tij në fshat në një sipërfaqe të konsiderueshme plot 588 rrënjë kanabis sativa, të cilat janë asgjësuar nga policia e Korçës. Ndërkaq ndaj të riut rëndojnë akuzat “Kultivim i bimëve narkotike” si dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Droga mendohet se do të transportohej drejt shtetit grek nëpërmjet kufirit tokësor në rrethin e Devollit. Prej disa javësh Drejtoria e Policisë në Korçë ka ndërmarrë aksione të shumta për goditjen e trafikantëve të drogës dhe kultivuesve të tyre. Vetëm në harkun kohor të tri javëve të fundit, kanë përfunduar në pranga 6 persona, të cilët janë kapur në kushtet e flagrancës me sasi të konsiderueshme marijuane. Ndërkaq rasti i fundit i përket arrestimit të një të riu nga një komunë malore në rrethin e Korçës, i cili kishte mbjellë një sipërfaqe të madhe me kanabis, të cilat janë asgjësuar në kohë nga ana e uniformave blu. Vetëm gjatë mëngjesit të sotëm Bejdollari ka rënë në pranga, ndërsa prej disa kohësh kishte dalë urdhri i arrestit për të nga prokuroria. I.V