E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidiç: Mançesteri i uritur për tituj

Lojtari serb i “Djajve të Kuq” përgëzon trajnerin për blerjet e reja si dhe hedh dorashkën e sfidës për rivalët

Nemanja Vidiç këmbëngul se Manchester United nuk ka frikë të përballet me Barcelonën. Katalanasit fituan në dy finalet e fundit në Ligën e Kampionëve ndaj “Djajve të Kuq”, por mbrojtësi serb beson se gjërat do të ndryshojnë nga sezoni i ardhshëm. “ManJu është ekip i sukseseve. Ne po bëjmë gjëra të mira. Nuk kam asnjë problem me lojtarët e Barcelonës. Ne i respektojmë ata, por nuk frikësohemi të luajmë me ta. Është e vështirë kur shkon në finale dhe humb, posaçërisht për faktin se ishte ndeshja e fundit dhe të mbetet gjithnjë në mendje”, tha përfaqësuesi serb. “Barcelona luajti më mirë se ne, mund dhe duhet të luajmë më mirë. Por, ky është sezon i ri. E kemi harruar atë që ndodhi. Kemi marrë mësim nga ajo lojë dhe jemi përmirësuar”, shtoi ai. Vidiç e ka përgëzuar menaxherin Sër Aleks Ferguson për lojtarët e rinj që ka sjellë në ekip. “Është e rëndësishme të kesh lojtarë të rinj, që sjellin energji pozitive dhe që janë të uritur për të luftuar për pozitat e tyre. Në ekipin tonë ka një konkurrencë me të vërtetë të fortë. Është e rëndësishme ta theksojmë se një ekip si Mançester Junajtid e ka fituar katër herë Premier Ligën në pesë vitet e fundit dhe në të njëjtën periudhë ka luajtur në tri finale të Ligës së Kampionëve”, theksoi Vidiç. Kapiteni thotë se Mançester Junajtid duhet të bëjë një nisje të rrufeshme të kampionatit nëse do të dojë që të ruajë kurorën që mban mbi kokë. “Djajtë e kuq” do të kenë një nisje tejet të vështirë të Premier Ligës duke pasur 6 ndeshje tepër të vështira që në 10 javët e para, ndeshje ku do të kenë përballë rivalët për titull të Çelsit, Arsenalit dhe Mançester Sitit dhe besohet edhe një rivali të ri si Liverpuli, por edhe Totenhamin dhe Evertonin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›