E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vietti-Ina Ramës: Institucioni i drejtësisë të ruajë pavarësinë e tij

TIRANE- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shprehu angazhimin e institucionit që drejton në zbatimin me rigorozitet të ligjit, gjatë takimit që zhvilloi sot me nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës Italiane, Michele Vietti, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se Kryeprokurorja Rama, pasi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë, bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë shqiptare, duke e vënë theksin te angazhimi i këtij institucioni në rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe shmangia e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e drejtësisë.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës Italiane, z. Michele Vietti, duke vlerësuar rezultatet e Prokurorisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, theksoi se në këto beteja me të cilat ndeshet drejtësia shqiptare, është e rëndësishme që të ruajë pavarësinë e saj.

Z. Vietti shprehu interesim për reformën në sistemin e drejtësisë dhe vlerësoi bashkëpunimin midis institucioneve të akuzës të dy vendeve. Në takim, mori pjesë gjithashtu edhe ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›