Vija e kuqe e Lavrovit dhe e Bogdanoviçit për Kosovën
Hyrja e trenit nga Beogradi për në Graçanicë të Kosovës para disa ditësh pas shtrirjës së EULEX-it dhe vizita e ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviqit të hënën po në këtë qytet, shton dyshimin se a mos ka filluar të jetësohet plani famoz gjashtëpikësh sipas rezolutës 1244. Në kontekst të kësaj shkon edhe deklarata e Bogdanoviqit i cili tha: “Mendoj se 6-pikëshi në substancë është shumë i rëndësishem për qëndrimin e serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe për kthimin e atyre që janë larguar në vitin 1999. Kjo përbën vijën e kuqe përtej se cilës Serbia nuk do të shkojë”.Kjo ma kujtojë deklaratën e mehershme të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, i cili kishte thënë se Kosova është çështje jetike për Rusinë, përmes së cilës cenohen edhe interesat nacionale ruse. Lavrov, duke folur para studentëve dhe profesorëve të fakultetit shtetëror rus, pat reaguar duke tërhequr vijën e kuqe për Kosovën. Kjo deklartë e Lavrovit dhe deklarata e Bogdanoviqit në Graçanicë shkojnë në sinkron me më njëra –tjetrën dhe janë deklarata luftënxitëse. Madje Veteranët e Luftës në Kosovë ose thënë saktësisht kriminelët serbë të luftës në Kosovë tentuan të futën në vendin tonë. Sa është brengosëse vizita e Bogdanoviqit në enklavat serbe, po aq brengosëse janë deklaratat e tija të ngjashme nga koha e Jogurt Revolucionit. Ai madje nuk i la pa i fyer rëndë edhe organet tona shtetërore dhe udhëheqësit e saj. Kjo është e patolerueshme. E patolerueshme gjithashtu është edhe përurimi ilegal ndërtesës së rinovuar të Postës dhe Telekomit të Serbisë. Bogdanoviq ne vend që ta ftojë minoritetin serbë për integrim në shoqërinë e re, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ai i ftoi ata për t’i bojkotuar zgjedhjet lokale të paralajmëruara për vitin 2009. Kjo mund të ndodhë vetëm në një vend siq është aktualisht Kosova, ku ende janë kompetencat e përziera. Një fjalë e popullit thotë “nuk po di kush sa po shkon tërshana”. Struktura e UNMIK-ut e cila nuk ishte dashur të jetë me në Kosovë, gjen një justifikim, EULEX-i tjetrën dhe Qeveria e Kosovës atë të vetën. Vizitat e tilla çfarë ishte kjo e profashistit Bogdanoviq më kompani nuk legjitimojnë kurrfarë pavarësie të Kosovës siç deklaroj kryeministri Hashim Thaçi.Deklarata e Thaqit bëhët në kontekst pozitiv duke dëshiruar paqën, por serbët nuk i kanë lënë dhe vështirë se do të lënë paragjykimet e vjetra për Kosovën.Bogdanoviqi erdhi në Kosovë për ti legjitimuar zgjedhjet serbe të 11 majit.
Edhe disa sugjerime nga qarqet relevante perëndimore se Kosova duhet të inkuadrohet në strukturën e BE , sipas modelit të Irlandës Veriore apo Qipros, do të thotë automatikisht kthim prapa të proceseve politike.Të inkuadrohemi edhe ne në Evropë sipas lançimit të kësaj teze nuk e përthekon mendja e shëndoshë. Kosova siç është thënë disa herë deri me sot është rast unikal. Fati i anëtarësimit të Kosovës në BE të lidhet me Serbinë do të thotë të mbetet përgjithmonë peng i saj.Edhe mendjekrisuri më i madh nuk do të pranonte një gjë të tillë. Shqiptarët deri me tash bënë shumë kompromise duke filluar nga Rambujeja e deri të plani i Ahtisaarit. Të gjitha këto vendime ishin të rënda, ngase rrezikonin direkt identitetin, qenien dhe traditën tonë kombëtare. Ky ishte imponim i hidhur për t’u liruar përfundimisht nga Serbia. Kështu siç po rrjedhin ngjarjet në terren, ndarja etnike nuk është e pamundur të ndodhë. Kjo do ta bënte Kosovën një shtet edhe më të komplikuar se sa Bosnjën. Kosova do të kthehej në një shtet të paaftë për të përparuar ekonomikisht dhe politikisht.Për realizmin e gjashtë pikëshit në marrveshje më Beogradin, arkitekt të kësaj strategjie është përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana, i cili po përkrahet nga Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner, i cili herën e fundit deklaroj së udhëheqësit e Kosovës asnjehër nuk e kanë kundërshtuar shtrirjën e EULEX-it. Kushner në deklaratën e tij la dilemen se me cilat kushte e ka pranuar Prishtina zyrtare shtrirjën e EULEX-it. Por, sherrin e madh na e la te dera administrata mamuthe e UNMIK-ut, jo krejt pa fajin edhe të strukturave tona shtetërore, të cilat për nëntë vjet më radhë nuk i zhbënë strukturat ilegale serbe, të cilat e kanë sjellë Kosovën në gjendje aspak të favorshme politike dhe ekonomike edhe pas zyrtarizmit të pavarësisë dhe hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.