Vija e sjelljes e kandidatëve të Fierit zbulon pabesinë që mbizotëron në marrëdhëniet PS-LSI

Çeta e kandidatëve të Ramës në Fier, më në krye Ruçin, e bojkotoi votimin e djeshëm të ligjeve evropiane, duke e cilësuar procesin si një nënshtrim ndaj kushtit të vendosur nga Ilir Meta. Klima e tensionit rrezikon të prishë marrëdhëniet mes partive, jo veç në Fier, por edhe në Gjirokastër, Elbasan, Lezhë e gjetkë
Çeta e kandidatëve të Ramës në Fier, më në krye Ruçin, e bojkotoi votimin e djeshëm të ligjeve evropiane, duke e cilësuar procesin si një nënshtrim ndaj kushtit të vendosur nga Ilir Meta. Klima e tensionit rrezikon të prishë marrëdhëniet mes partive, jo veç në Fier, por edhe në Gjirokastër, Elbasan, Lezhë e gjetkë. Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka rezervuar surpriza që do të zbulohen me detaje në ditën e ardhshme. Një grup deputetësh të qarkut të Fierit të kryesuar nga Gramoz Ruçi dhe përbërë nga Pirro Lutaj, Ervin Koçi, Erion Braçe, ALbert Caçi dhe Arben Cuko kanë kërkuar shpjegime për lëshimet që po i bëjnë publikisht Lëvizjes Socialiste për Integrimin në lidhje me qerasjen e Ramës ndaj Ilir Metës për të votuar tre ligjet e Integrimit të BE. Edi Rama është justifikuar duke thënë se kjo na heq një barrë përpara elektoratit dhe Saliu nuk do të përdorë më betejën e mos marrjes së statusit të vendit Kandidat. Por ky justifikim ka acaruar situatën derisa Gramoz Ruçi me çetën e tij, Lutaj e Koçi, janë larguar nga Tirana drejt Fierit në zonat e tyre elektorale, duke thyer kësisoj vendimin e grupit parlamentar për të votuar tre ligjet. Vetëm Albert Caçi, edhe pse kokëprerë në listat e kandidatëve për deputetë ka qenë në sallë duke votuar 3 ligjet. Ndër të tjerët janë larguar në mënyrë demonstrative. Në fakt kjo thyerje e vendimeve të grupit parlamentar të PS automatikisht do të thotë përjashtim tre deputetëve siç ka ndodhur me Kastriot Islamin. Por Edi Rama nuk e ka luksin të përjashtojë deputetë apo kandidatë për deputetë të PS në prag zgjedhjeve. Hesapet me Gramozin dhe çetën e tij do ti lajë pas 23 qershorit.