E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vija e verdhë; Durrës, zgjerim drejt portit

Gjithmonë projektuesit dhe urbanistët durrsakë kanë shtruar pyetjen se ku dhe si do të zgjerohet qyteti bregdetar me portin më të madh në vend. Qysh në vitin 1999 Arqile Gorea, ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, parashikoi problemet urbane me të cilat do të ndeshej metropoli i dytë i vendit gjatë viteve në vazhdim dhe propozoi zgjerimin e kufijve të qytetit ose, siç quhet ndryshe, zgjerimin e vijës së verdhë. Ai, pas një studimi të kufijve të rinj të Durrësit nga ana e urbanistëve, propozimin e dërgoi në KRRTRSH, që në atë kohë drejtohej nga Kryeministri Pandeli Majko. KRRTRSH-ja e asaj kohe miratoi propozimin e Bashkisë së Durrësit, madje Majko mori pjesë edhe në takimin promovues të hartës së re të qytetit. Sipas kufijve të rinj të propozuar, Durrësi zgjerohej në tri komuna, Xhafzotaj, Rrashbull dhe Katundi i Ri. Por edhe pse po mbushen 10 vjet që nga ajo kohë, vendimi i KRRTRSH-së ka mbetur në letër, pasi asnjëherë nuk është njohur dhe zbatuar dhe Durrësi ka mbetur në kufijtë e caktuar që në vitet ‘70. Ndërkohë, numri i popullatës është shtuar në mënyrë të ndjeshme dhe nga 90 mijë banorë që ishin në fund të viteve ’80, sot ky numër ka kaluar shifrën e 240 mijë banorëve. Kjo dyndje demografike ka shtruar nevojën e zhvillimit të qytetit në zona të tjera urbane. Por drejtuesit e komunave të prekura nga vendimi i KRRTRSH-së i vitit 1999 nuk kanë lëshuar asnjë pëllëmbë tokë në favor të Durrësit. Sipas tyre, ky vendim është antikushtetues, pasi për raste të tilla dokumenti themeltar i shtetit parashikon zhvillimin e referendumeve në komunitet, të cilët japin me votë pëlqimin e tyre për kalimin në njësi të tjera vendore. Në këto kushte për Durrësin ende nuk ka një ide të qartë se cila do të jetë perspektiva e tij e zhvillimit urban. Por zhvillimet e fundit dhe vendimet e qeverisë duket se i kanë hapur rrugën e progresit qytet-portit më të madh të vendit, me ngritjen e parqeve industriale. Për ato parqe është parashikuar të zënë plot 1800 ha tokë në një kohë që qyteti i sotëm zë një sipërfaqe prej 1300 ha. Kjo pa dyshim do të sjellë zhvillimin ekonomik dhe një bum të ardhurash në bizneset e të gjitha kategorive në zonën bregdetare të Durrësit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›