“Vija merravija” shënon më shumë se Raul

Kur skuadra spanjolle për Euro 2008 u bë publike, e gjithë zhurma e medias në Madrid u bë rreth mungesës së "El siete de Espana", Raulit. Trajneri Luis Aragones, nga ana e tij, tha se i vinte keq që po linte jashtë ish-kapitenin dhe golashënuesin më të mirë të gjitha kohërave.
Por David Vija, me tre golat e tij kundër Rusisë e golit vendimtar kundër Suedisë, dëshmoi se ishte një pasues i denjë i numrit shtatë.
Këngët e fansave në Spanjë që bënin thirrje për një rikthim të Raulit janë zbehur dhe janë zëvendësuar nga koret "Villa meravilla" (Vija mrekullia).
I lindur në qytetin asturian Tuija, "El Guaje" (djali në gjuhën asturiane) është djali i një minatori qymuri, por në vend të ndiqte traditën familjare dhe të gërmonte në galeri ai vendosi të provonte fatin në futboll.
Spanja duhet ta falënderojë yllin e saj, pasi Vija është bërë sinonim i fuqisë iberike me kombëtaren spanjolle. Goli i tij me Suedinë është i 18-ti në 33 ndeshje, me një mesatare më të mirë shënimi sesa Fernando Torres apo Raul, i cili realizoi 44 gola në 102 ndeshje me Spanjën.
I shpejtë, plot aftësi dhe me një goditje therëse, Vija i ka të gjitha karakteristikat e një sulmuesi të madh. Edhe është në garë me emra të tillë si Torres, Lukas Podolski, Luka Toni, Rud van Nistelroi, Vila i ka të gjitha mundësitë të fitojë "këpucën e artë" të Euro 2008.