Vijojnë reshjet e borës në veri, mijëra banorë të bllokuar prej 2 javësh
Rikthimi i reshjeve të borës në veri dhe verilindje të vendit e kanë vështirësuar situatën në të cilën ndodhen me mijëra banorë, të cilët janë të izoluar prej dy javësh.
Situata më problematike paraqitet në qarkun e Kukësit, ku të gjitha rrugët që lidhin komunat me qytetet janë të bllokurara. Në Tropojë, trashësia e borës i kalon 2 metër e 30 cm në qytet, ndërsa mëngjesin e sotëm reshjet kanë nisur sërish.
Në komunën Lekbibaj mësohet se 9 persona rezultojnë të zhdukur prej 10 ditësh. Familjarët kanë dhënë alarmin dhe kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve qendrore.
Kryetari i komunës, Gëzim Meshaj, ka kërkuar dërgimin e një helikopteri për të parë nga afër situatën në këtë zonë të thellë, ku trashësia e borës i kalon 3 metër.
Ndërkohë, mësohet se janë kthyer në shtëpi 5 punonjësit e Hidrocentralit të Fierzës, të cilët për 6 ditë me radhë kanë qenë të bllokuar në vendin e tyre të punës në Gropat e Poravit, për shkak të bllokimit të rrugës që e ka bërë të pamundur ndërrimin e turneve.
Burime për Shekullin bëjnë të ditur se 5 punëtorët kanë udhëtuar për 8 orë me radhë duke e hapur vetë rrugën, ndërsa janë pritur nga autoritetet vendore në qytezën e Fierzës.
Lugina e Valbonës vijon të mbetet e bllokuar dhe pa energji elektrike, ndërsa banorët shpresojnë në ndërhyrjet nga ajri për furnizimin me ushqime dhe ilaçe.
Në një kontakt telefonik, ata u shprehën për Shekullin se që prej tre ditësh kanë punuar për krijimin e një hapësire ku mund të ulen helikopterët, ndërsa janë në pritje të këtyre të fundit.