E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet në garazhin poshtë pallatit kasetofoni i makinës së deputetit

 Dashamir Biçaku

Vjedhjet e makinave dhe shtëpive janë kthyer ditët e fundit në tmerrin e kryeqytetit. Pothuajse çdo ditë regjistrohen dhjetëra raste vjedhjesh dhe tashmë viktima po bëhen edhe politikanë apo zyrtarë të lartë shtetërorë deri tek ministrat. Pas deputetit Eduard Shalsi, të cilit iu vodh makina; ministrit të Kulturës Aldo Bumçi, edhe atij iu vodh makina dhe ministrit të Punëve Sociale, Spiro Ksera, të cilit iu vodh shtëpia, hajdutët kanë goditur dje deputetin Marko Bello, të cilit i është thyer makina dhe i është marrë kasetofoni e disa dokumente. E veçanta e vjedhjes së Bellos është se makina e tij ndodhej në garazhin poshtë pallatit, por kjo nuk i ka penguar hajdutët të thyejnë edhe dy makina të tjera.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në një garazh në zonën e Komunës së Parisit, në rrugën e njohur me emrin Medar Shtylla, ku autorët kanë përdorur të njëjtin mekanizëm dhe me dy automjete të tjera të parkuara në të njëjtin vend. Më parë sipas burimeve, autorët kanë mundur të thyejnë edhe dy autovetura të tjera që ndodheshin të parkuara në të njëjtin parking të nëndheshëm të një prej pallateve të kësaj zone, ku banon edhe deputeti Marko Bello. Burime të policisë Tiranë thanë dje për gazetën Shekulli, se në tri automjetet e dëmtuara mësohet se janë vjedhur telefona, kasetofonët e automjeteve, e sende të tjera.

Pas njoftimit të policisë mbi rastin e mësipërm, në vendin e e ngjarjes mbërritën hetues dhe specialistë të drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe të komisariatit të policisë nr.2. Të treja makinat et hyera ishin të parkuara pranë njëra-tjetrës. Xhami i pasim i tyre ishte thyer nga jashtë dhe më pas hajduti kishte hyrë brenda duke kontrolluar në çdo vend për sende me vlerë. Ata kanë shkulur me forcë kasetofonin dhe më pas kanë marrë edhe dokumentet që gjendeshin në kroskot.

Pasi kanë kryer këqyrjen, ekspertët, kanë marrë gjurmë gishtërinjsh që vlerësoheshin të vlefshme. Këto të fundit janë dërguar dje në laborator me qëllim kryerjen e krahasimeve të mundshme me qëllim gjetjen e personit të cilit mund ti përkisnin këto gjurmë. Policia veç këtij veprimi, pyeti edhe njerëz të tjerë që sipas saj mund të konsideroheshin dëshmitarë apo që kishin dijeni mbi rrethanat e hetimit. Një roje dhe dy persona të tjerë mësohet se janë pyetur nga hetuesit për të marrë informacione dhe të dhëna mbi persona të mundshëm të dyshuar që mund të kishin lëvizur gjatë natës në zonën e parkingut, apo rreth pallatit. Policia tha se ka ngritur disa dyshime konkrete, ndërsa tha se po kryente verifikime konkrete për rastet e mësipërme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›