E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon prishja e ndertimeve pa leje ne kryeqytet

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot Inspektoriati ka prishur një ndërtim pa leje në rrugën “Hoxha Tahsin”, i ndërtuar ditët e fundit. Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Florenc Hoxha ka bërë të ditur se Inspektoriati, në repekt të plotë të ligjit dhe procedurave që parashikon ai për ndërtimet pa leje, po ndërhyn në çdo cep të Tiranës ku është ndërtuar pa leje.

“Këtu, pas meje po “goditet” një objekt informal i bërë ditët e fundit, në mënyrë abuzive dhe sot ne po marrim masën e kthimit në gjendjen e mëparshme. Nga ana e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës po ndërmerren të gjithë hapat ligjorë që do të konstatojnë që në hapin e parë të identifikimit të ndërtimit pa leje, më pas në procedurën paraprake dhe deri në masën e gjobës dhe finalizimin në prishjen e ndërtimit pa leje” – theksoi drejtori Hoxha.

Po kështu, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik po kryen dhe verifikimin e objekteve që janë deklaruar pranë ALUIZNI-t për legalizimin, në mënyrë që të bëjë verifikimin e atyre objekteve që janë ndërtuar muajt e fundit dhe që kanë bërë deklarim të rremë. Të gjithë këto objekte, sipas drejtorit të Inspektoriatit Ndërtimor, do të prishen.

“I garantojmë qytetarët e Tiranës se ne do të vijojmë pa nderprerje këtë aksion, deri në prishjen e ndërtimit të fundit pa leje. Gjithashtu, e përmenda edhe më pare, që po marrim një kontakt të vazhdueshëm me zyrën e ALUIZNI-t dhe do veprojmë në çdo objekt i cili edhe mund të ketë aplikuar pranë zyrave të ALUIZNI-t por që ka bërë aplikim të rremë apo në kundërshtim me kushtet dhe procedurat e përcaktuara nga ALUIZNI. Ne do të bëjmë përjashtimin e tyre dhe “goditjen” e çdo objekti informal” - u shpreh z. Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›