E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon rinumërimin e votave për Lezhën, konstatohen probleme të vogla

kqz-numerimiTiranë- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është mbledhur mëngjesin e sotëm ku ka nisur procesin e rinumërimit të votave për Qarkun e Lezhës. Ditën e djeshme u numëruan në total 67 kuti votimi nga 284 në total dhe rezultoi se nuk kishte asnjë mospërputhje, ndryshe nga sa pretendohej nga anëtarë e KQZ-së.

Ndërkohë sot janë vënë re disa probleme të vogla ku ka pasur disa mospërputhje në procesverbalet përfundimtare. Konstatimi më i rëndë është ai në qendrën e votimit 0810, ku në procesverbalin e KZAZ, ishin shënuar 535 fletë votimi të gjetura në kuti, ndërsa pas rinumërimit ka rezultuar se gjendeshin 515 fletë votimi. Ky ndryshim solli uljen e numrit të votave për LSI-në, e cila kishte 50 dhe tani ka 30 vota.

Pas hapjes së kutive është thelluar diferenca në favor të koalicionit të djathtë, por deri më tani nuk ka asnjë ndryshim sa i përket mandateve.

Janë ngritur tetë grupe numërimi që po vijojnë punën dhe menjëherë sapo të përfundojë procesi i rinumërimit të Lezhës, do të nisë ai i Shkodrës.

Ndërkohë dje Partia Socialiste ka dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë për pavlefshmëri të shqyrtimit të votave nga ana e KQZ-së, e cila pritet të shqyrtohet nesër.

Në Qarkun e Lezhës opozita mori katër mandate dhe të djathtët tre, por KQZ-ja e ndryshoi rezultatin pas rinumërimit të 10 kutive të votimit duke ja dhënë një madat demokratëve, pasi kishte mospërputhje mes votave dhe procesverbaleve.

PD: Nuk pranojmë rezultatin, duam transparencë të plotë

Lidhur me procesin e rinumërimit ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila shprehet se Partia Socialiste i ka vjedhur votat më 23 qershor. Përfaqësuesi i saj Gerti Bogdani deklaroi se rinumërimi i votave për Qarkun e Lezhës nxorri në dritën e diellit fytyrën e fitores së Edi Ramës i cili me bandat e tij të krimit, drogës dhe prostitucionit përmbysi rezultatin me terror.

Rezulton se Rama ka vjedhur me dhunë, terror e para të pista mbi 1000 vota në Qarkun e Lezhës. Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij po kërkojnë të bllokojnë transparencën dhe ne i bëjmë thirrje që të ndalojë presionet dhe përpjekjet për të ndaluar rinumërimin e votave,- u shpreh Bogdani.

Në përfundim ai u shpreh se Partia Demokratike nuk e pranon rezultatin e këtyre zgjedhjeve pa transparencën e plotë të votës së qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›