E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e FMN dhe BB në Tiranë me ftesë të Financave

21-07-2013 / Gazeta 55

Me kërkesë të ministrit të Financave dhe guvernatorit të BSH, të datës 26 shkurt 2013, drejtuar drejtoreshës së Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, zonjës Goldstain, ditët e fundit në vendin tonë ka mbërritur një grup ekspertësh të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilët po fillojnë punën për një Program Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP) për Shqipërinë. Duke marrë parasysh zhvillimet dhe rrethanat e reja që derivuan nga kriza globale financiare dhe me qëllim ndërmarrjen e politikave të duhura në periudhën në vijim, autoritetet financiare të vendit e çmuan të nevojshëm që të ndërmerret një tjetër vlerësim i sektorit financiar dhe për këtë iu kërkua asistencë institucioneve të mësipërme. Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar konsiston në një analizim të thellë dhe gjithëpërfshirës të sektorit financiar të një vendi të caktuar, anëtar i FMN. Ai është një program, i cili kërkohet vullnetarisht nga autoritet e vendit tek i cili bëhet dhe nuk është kusht për marrëdhëniet nën artikullin 4. “Vendi ynë e ka ndërmarrë për herë të parë dhe të vetme në vitin 2005, me kërkesen e qeverisë së Shqipërisë diku nga fundi i vitit 2004. Ai është finalizuar në korrik të 2005. Tani pas rreth 8 vitesh dhe për specifikat e ambientit global ekonomik, u pa e arsyeshme që të ribëhej një vlerësim i tillë i sektorit financiar. Nisur nga kjo kërkesë e jona, FMN dhe BB kanë shprehur gatishmërinë e tyre dhe kanë vënë në dispozicion një ekip ekspertësh për të kryer këtë program vlerësimi, ku ekipi i parë ka ardhur gjatë kësaj jave në Tiranë dhe ka zhvilluar takimet e parë me titullarët e institucioneve kryesore në vend, si dhe me ekspertët vendas. Një pyetësor është dërguar gjithashtu nga FMN dhe BB dhe autoritetet shqiptare, ekspertët e tyre, po punojnë për të ofruar informacionin e kërkuar, i cili sigurisht po koordinohet nga BSH si institucioni më direkt i lidhur me sektorin financiar të vendit dhe do të jetë në dispozicion të ekspertëve brenda muajit korrik dhe mandej në shtator ose tetor një mision më i gjerë ekspertësh për të gjitha fushat apo çështjet specifike që mbulon ky program vlerësimi do të vijë në Tiranë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Financave. Raporti i EFSAP 2 për Shqipërinë do të jetë një material ndihmues për autoritetet e vendit në ndërmarrjen e reformave dhe politikave më të përshtatshme. Publikimi i tij është në zgjedhjen e autoriteteve shqiptare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›